Zhvillohen sesione shëndetësore në Lagjen "Adem Voca" në Komunën e Mitrovicës
Në dy aktivitete të ndara Dr. Saim Berisha informoi pjesëmarrësit mbi Hipertensionin/ shtypjen e lartë të gjakut dhe për Diabetin duke u ndalur specifikisht tek faktorët e rrezikut, diagnostikimin, trajtimin dhe informacione tjera të rëndësishme lidhur me këto dy sëmundje kronike shumë të shpeshta tek popullata.
Në këto aktivitete po ashtu u bë edhe matja e tensionit arterial dhe glikemisë për pjesëmarrësit e sesioneve nga ana profesionistëve shëndetësorë të QKMF-së.
Drejtori i Drejtorisë për Shëndetësi, Dr.Fahri Shabani, vlerësoi lart angazhimin e profesionistëve shëndetësorë të QKMF-së dhe OJQ Mundësia në realizimin e këtyre aktiviteteve të cilat janë në frymën e vizionit dhe planit të punës së Drejtorisë për Shëndetësi për fuqizimin e komponentës së parandalimit të sëmundjeve përmes edukimit shëndetësor, këshillimit mjekësor dhe promovimit të shëndetit.
Këto dy aktivitete janë organizuar nga OJQ Mundësia, në kuadër të projektit " Kujdesi Shëndetësor i Qasshëm dhe Cilësor-AQH ", i cili zbatohet nga Swiss TPH dhe financohet nga Agjensioni Zviceran për zhvillim dhe bashkëpunim (SDC),të cilat janë organizata partnere të Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës së Mitrovicës.