Aktakuzë ndaj Svetisllav Ivanoviqit, kryetarit të komunës së Novobërdës
Sipas aktakuzës, më 15 nëntor 2017, në Novobërdë, i pandehuri si person zyrtar, në cilësinë e Kryetarit të komunës së Novobërdës, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për personin tjetër juridik – Shoqatën e Gjuetarëve “Kalaja”, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare dhe ka shkelur të drejtat e personit tjetër juridik – Shoqatës së Gjuetarëve “Ujku”, në atë mënyrë që Shoqatës së Gjuetarëve “Kalaja” i ka dhënë në shfrytëzim dhe menaxhim tërë territorin e komunës së Novobërdës dhe një zyre në objekt të kësaj komune, duke i shkaktuar komunës dëm material në vlerë të përgjithshme prej 12.200,00 (dymbëdhjetëmijedyqind) euro.
“Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 422 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK)”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, raporton Koha.net.
Prokurori i Shtetit i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor dhe ta ndëshkojë me dënim meritor sipas Ligjit.
Kujtojmë se edhe më parë, marsin e vitit të kaluar, kryetari i Komunës së Novobërdës ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Gjilan me 4 mijë e 500 euro gjobë për dy vepra penale të keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe për veprën penale të konfliktit të interesit.