Shqiptarët e Novobërdës qe katër muaj pa transport me autobus
Transporti që sigurohej nga Ministria e Infrastrukturës, për banorët shqiptarë, është ndërprerë pasi njëri nga operatorët ka bërë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik.
Qytetarët e Novobërdës thonë se detyrohen të paguajnë taksi 5 euro për të shkuar vetëm deri në fshatin Llabjan që gjendet në magjistralen Prishtinë-Gjilan, e më pas të presin autobusin për të shkuar në njërin nga qytetet e afërta.
Mungesa e transportit publik po u shkakton shumë probleme qytetarëve të kësaj komune.
Nënkryetari i Komunës së Novobërdës, Bajrush Ymeri, deklaron se ky proces i sigurimit të transportit, është duke u prolonguar nga OSHP-ja.
Ai thotë se procesi mund të shkojë nga fillimi nëse OSHP-ja merr ndonjë vendim ndryshe.
Qytetarët akuzojnë komunën, e sidomos partitë politike shqiptare, të cilët përfaqësohen në Kuvendin Komunal, të cilat nuk po bëjnë shumë për komunitetin e tyre ngase për komunitetin serb dhe komunitetin rom kanë transport humanitar, i cili bëhet pa telashe.