Lutfi Haziri në “Misionin e pamundur” për të ruajtur Gjilanin
Emri i Gjilanit po lakohet në mesin e komunave ku beteja për të parin e komunës do të jetë interesante dhe e ngushtë. Por, gjërat nuk janë krejtësisht kështu nëse i referohemi zhvillimeve politike, si në komunë ashtu dhe përtej saj.
(Analizë parazgjedhore nga Sali Salihu)
Në fillim, duhet theksuar se PDK dhe AAK, pas rënies së madhe në zgjedhjet e kësaj vere në nivel komunal (nga mbi 15.000 vota sa kishin ndaras në viti 2013 kanë rënë në 9.500 si koalicion PAN), përmes kandidaturave serioze si Zenun Pajaziti dhe Rexhep Kadriu, por edhe me avantazhin e përkrahjes nga udhëheqja në nivel qendror në krahë, do të kërkojnë që të ndalin trendin e tkurrjes së elektoratit dhe të menaxhojnë dëmet e shkaktuara.
Pra, potenciali aktual i këtyre dy partive nuk bind shumë në momentin e tanishëm dhe shanset e tyre për të kapur balotazhin janë të vogla. Por, edhe nëse ndonjëri prej kandidatëve do t’ia dilte mbanë në rrethin e parë, këtë do ta arrinte në kurriz të tjetrit dhe në garën përfundimtare do të ndodheshin para një muri të pakapërcyeshëm si Vetëvendosje – LDK. Thënë këtë, me probabilitet jashtëzakonisht të madh, gara për të parin e komunës do të përqendrohet pikërisht te binomi opozitar në nivel qendror.
Pas rënies së lehtë në zgjedhjet kombëtare të 11 qershorit, për LDK-në, ruajtja e primatit në komunat ku ka qeverisur në katërvjeçarin e fundit është me rëndësi jetike për të ardhmen e afërt të partisë, por edhe për karrierën politike të Hazirit. Lutfi Haziri, pa dyshim, është figura më e rëndësishme e LDK-së në Gjilan dhe Anamoravë, por kjo nuk e bën aspak favorit në garën për Kryetar të komunës. Për më keq, një humbje në Gjilan do ta bënte Hazirin një kandidat “të padenjë” për të marrë kreun e partisë në perspektivën e ndryshimeve të paralajmëruara.
Gjendja faktike dhe zhvillimet jo të largëta në skenën politike kanë dhënë shenja se përsëritja e suksesit të para katër vjetëve duket një “Mision i pamundur”. Që nga atëherë trendet e preferencave politike të qytetarëve të Gjilanit kanë ndryshuar në mënyrë dramatike. Përderisa katër vjet më parë LDK, e vetme, kishte arritur të mblidhte rreth 14.000 vota, në zgjedhjet e 11 qershorit subjekti që përfaqëson Haziri, madje në koalicion me AKR-në dhe Lëvizjen Vatra, nuk shkoi më lart se 11.800 – pra, një rënie për më shumë se 2,000 vota pavarësisht përkrahjes nga dy parti tjera që, ndonëse modeste, do të kenë kontribuar në këtë bilanc me rreth 1.500-2.000 vota.
Me këto shifra aspak entuziaste Lutfi Hazirit do t’i duhet të përballet me një rival si Vetëvendosja, e cila, hiq më pak se tre muaj më parë, ka evidentuar një rritje marramendëse – rreth 18.000 vota dhe me një përqindje të frikshme prej 42,34%, duke regjistruar kështu një katërfishim të votës në krahasim me zgjedhjet komunale të vitit 2013 (4.443 vota ose 9,91%). Në këto rrethana, detyra më e rëndësishme e Hazirit është që të evitojë fitoren e Vetëvendosjes pa balotazh, aq më tepër kur kihet parasysh fakti se kandidati i Vetëvendosjes për kryetar në zgjedhjet e kaluara, Ismail Kurteshi, ia doli të merrte rreth 54% më shumë vota (6683) se sa totali që i siguroi nga lista e subjektit të vet politik (4443 vota). Është e vërtetë se në këto zgjedhje nuk konkurron Ismajl Kurteshi, por është po kaq e vërtetë se konkurron një person nga familja e tij e ngushtë, Sami Kurteshi – pra një kandidat me tipologji pothuajse identike.
Atëherë, ku mund të mbështetet Haziri në përpjekjen për të realizuar misionin e tij të pamundur? Së pari, te përvoja gjatë e pjesëmarrjes në gara elektorale dhe te shkathtësitë e komunikimit populist, siç e do një fushatë lokale tipike në Kosovë, por edhe aftësia për të tërhequr vota përtej listës së partisë (rreth 38% të totalit në 2013). Së dyti, Haziri do të mundohet që të përfitojë nga doza e ekzaltimit të Vetëvendosjes dhe kandidatit të saj pas 11 qershorit, që herë pas here, është manifestuar me nihilizëm ekstrem dhe doza të arrogancës. Së treti, mungesa e përvojës së Vetëvendosjes në qeverisjen lokale është mjaft evidente, si në përgatitjen e platformës zgjedhore ashtu edhe në prezantimin e saj. Së fundi, e mbase më e rëndësishmja, është mungesa e përvojës së rivalit të tij kryesor në fushata të personalizuara elektorale dhe elokuenca e munguar në artikulim - si në elaborimin e defekteve të kundërshtarit ashtu edhe në artikulimin e qartë të vizionit të tij qeverisës.
Për më tepër, është e dukshme se LDK dhe Haziri po llogarisin edhe në “dy dobësi” (të perceptuara, dhe jo domosdoshmërisht të vërteta) të rivalit nga Vetëvendosja: E para, Sami Kurteshi nuk është një përfaqësues tipik i elektoratit të Vetëvendosjes për nga mosha, dhe së dyti, Sami Kurteshi vjen nga familja e ngushtë e kandidatit paraprak, e që në një farë forme mund të mos jetë pëlqyer shumë nga përkrahësit jokonvencionalë të Vetëvendosjes. Për më tepër, një situatë të ngjashme me kandidaturat është evidente edhe me rivalin tjetër – PDK-në, prandaj edhe batuta e Hazirit se kundërshtarët veprojnë sipas parimit “Herë unë, herë Baci” mbase është edhe “arma e tij e fshehtë” në misionin e tij të pamundur.
Në rast se do t’ia dalë të futet në balotazh, aq më tepër me një rezultat të mirë, Haziri do të duhej t’i varte shpresat te votat e disponimit anti-Vetëvendosje, e që realisht ekziston në mesin e subjekteve që aktualisht janë të përfaqësuara në koalicionin PANA. Megjithëkëtë, algjebra zgjedhore në nivel lokal ka dëshmuar në shumë raste se nuk është një shkencë ekzakte. Për më tepër, problemi i LDK-së dhe Hazirit këtu qëndron te fakti se fjalori i tyre në raport me rivalët politik në nivel qendror nuk ka qenë aspak më i moderuar se i Vetëvendosjes, prandaj edhe do të ishte e vështirë që këto llogari t’u dilnin të sakta.
Edhe nëse do t’ia dilte që t’ia dilte mbanë sipas këtij skenari, fitorja e Hazirit mbase do të kishte një shije të hidhur, por shija që të jep kompletimi i një “misioni të pamundur” është larg më e fortë se e para! /InfoKomuna/