“Mediat duhet të ndërpresin raportimin e vetëvrasjeve”
Analisti i politikave në Institutin GAP, Agron Demi, konsideron se mediet duhet t’i ndërpresin raportimet e lajmeve për vetëvrasjet. Këtë bindje, ai e mbështetë në studime të shumta që janë bërë deri më tani rreth kësaj çështjeje.
Përderisa raportimi i vrasjeve është në interes të publikut dhe raportimi i tyre mund të ndikoj në marrjen e masave për uljen e vrasjeve, sipas Demit, raportimi i vetëvrasjeve ka efekt krejt të kundërt: ndikon në shtimin e vetëvrasjeve.
Kjo, siç shkruan ai, është vërtetuar edhe nga studime të shumta dhe tashmë njihet si “Werther effect”, sipas së cilit “mediatizimi i lajmeve për vetëvrasjet, ndikon në përforcimin e bindjeve tek personat tjerë se një veprim i tillë mund të sjell vëmendjen, pikëllimin dhe dashninë, të cilën këta persona e kanë kërkuar aq shumë”.
“Andaj, bazuar në këto të gjetura, mediat serioze në vendet tjera kanë ndërprerë raportimin e lajmeve rreth vetëvrasjeve dhe menjëherë është vërejtur rënie e numrit të vetëvrasjeve”, ka shkruar Demi në rrjetin social facebook.
Ai ka përkujtuar se vite më parë një grup i psikologëve kosovarë i ka këshilluar mediet që të ndalojnë raportimin e lajmeve të tilla dhe “për një kohë nuk kemi pas lajme kaq të shpeshta të vetëvrasjeve, ashtu siç po lexojmë e dëgjojmë tashmë për çdo ditë”.