Përshëndetje kryetar!
Jam ai që të zgjata dorën në shesh kur kalove me turmën që të vinin pas. Me flokë të shprishura, pallto të zezë deri në gjunjë të mbërthyer mirë, me jaka të ngritura,e pantallona të grisura në fund!
Përshëndetje kryetar,
Ja ku u takuam përsëri. Edhe para katër vitesh të pashë, po këtu! Të kujtohet?
Jam ai që të zgjata dorën në shesh kur kalove me turmën që të vinin pas. Me flokë të shprishura, pallto të zezë deri në gjunjë të mbërthyer mirë, me jaka të ngritura,e pantallona të grisura në fund!
Po të njëjtat kam veshur edhe tani, vetëm se janë vjetruar pak. Ama më bien fiks. Vetëm këpucët që i kisha atëherë nuk po mund ti mbath më. Më janë mësuar këmbët kështu dhe nuk mund ti fus dot as në opinga.
E sheh, gishti më është trashur aq shumë sa duhet ta këpus për ti rënë tamam këpucës. Më duket se vjet më është ftohur afër “fontanës” së re. Për sherr e ndërrova vendin ku rri zakonisht dhe ja çfarë më gjeti. Mendova se do të jetë më mirë se pranë kësaj shtylle që i përurove poçin elektrik por u gabova.
Atje vërtetë ishte më bukur, më shumë njerëz më takonin por me të rënë terri nuk më shihte askush. Zhdukesha bashkë me dritën dhe zhurma e kalimtarëve hallegjinjë në kafene bashkë me muzikën mbysnin zërin tim.
As nuk shihesha as nuk dëgjohesha në gjithë këtë shesh.
Nuk jam i çmendur unë. U ktheva këtu ku u takuam bashkë. Të dukem i njohur tani? Hë më kujto…
Të kam parë siç më shikoje me dhembshuri. Gati gjysmë ore ke ndenjur përballë meje duke më vështruar deri sa erdhën ata djemtë trupmëdhenj.
Nuk do të lëvizja nga aty po të mos ta hapnin rrugën ty.
Nuk do ti hiqja sytë nga kollarja blu që të shkonte aq bukur me këmishën e bardhë dhe të zënë në sako të kombinuar perfekt me këpucët lëkurë krokodili.
E paske edhe tani orën që të shndëriste si fytyra jote plotë nur.
Isha humbur duke të vështruar sa harrova që nuk mund të lëviz dot vetëm. Që kur u plagosa nuk ndjej më pjesën e poshtme të trupit. Prandaj edhe nuk mërzitem shumë për këmbët e zbathura.
Se mos më duhen gjë mua tani.
Punë nuk kam që t’më kërkoi dikush llogari përse nuk ngrihem në këmbë. Gruaja më ka vdekur nga një sëmundje e rëndë për të cilën i shita gjithçka që pata për ta shëruar, por ..kot. Fëmijë nuk munda të bëj dhe nuk e kam ndërmend të martohem më.
Po, kush më merr mua ore kryetar.
Gjithë kohën në shesh. Jam bërë rrugaç edhe pse nuk luaj vendit si dikur në qeli të burgut të Nishit, kur më patën arrestuar si student në demonstrata.
Më fal se të lodha me broçkullat e mia. U mundova të të kujtohem.
Jo a?
Nuk dua të të ofendoj, por jam ai lypësi që të pata zgjatur dorën kryetar, e që më injorove para katër vitesh.
Mi fal disa para për bukë të lutem.
(Autor: Zekirja Shabani)