Raportimi për aksidentet rrugore dhe interesi publik
Në thjerrëzat e gazetarit dy çështje janë të rëndësishme, nëse është e nevojshme të raportohet vazhdimisht për aksidentet rrugore, dhe deri në çfarë mase duhet të përdoren fotografi nga aksidenti apo të personave të aksidentuar
Shkruan: Dren Gërguri
Krahas informimit, media ka edhe funksionin edukues të shoqërisë në përgjithësi dhe të pjesëmarrësve në trafikun rrugor në veçanti. Nëpërmjet raportimit të aksidenteve rrugore që ndodhin, qëllim i medies duhet të jetë edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë për këtë dukuri, e cila po merr jetë njerëzish. Viti 2018 u përshkua me numër të madh të aksidenteve në rrugët e Kosovës, gjë që është shqetësuese dhe natyrisht, duhet të zërë vend të rëndësishëm në raportimin ditor të medieve tona. 121 të vdekur dhe mbi 11 mijë të lënduar në mijëra aksidente brenda vitit.
Pra, mediet mund t'u dalin në ndihmë institucioneve përgjegjëse për të ndikuar në sjelljen e pjesëmarrësve në trafikun rrugor dhe për edukimin e tyre dhe të shoqërisë në përgjithësi dhe me qëllimin madhor të ngritjes së sigurisë më të madhe në komunikacionin rrugor. Në thjerrëzat e gazetarit, dy çështje janë të rëndësishme, nëse është e nevojshme të raportohet vazhdimisht për aksidentet rrugore dhe, deri në çfarë mase duhet të përdoren fotografi nga aksidenti apo të personave të aksidentuar.
Mediet tona në përgjithësi e posaçërisht portalet kanë informuar pothuajse për çdo aksident që ka ndodhur brenda territorit të Kosovës. Kjo, për një pjesë të publikut është parë si e panevojshme. Mirëpo, raportimi i ngjarjeve të tilla nuk duhet të shihet nga publiku si informim nga “kronika e zezë”, sepse, gazetari, më tutje media, duke raportuar, synon që t’ia tërheqë vëmendjen publikut dhe, veçanërisht pjesëmarrësve në trafik, për pasojat që mund t’i bartë vozitësi apo shoqëruesit e tij në rast aksidenti, gjegjësisht për rrezikshmërinë e vozitjes së shpejtë në rrugë, mosrespektimit të shenjave të trafikut rrugor, neglizhencës së kushteve të rrugës, etj.
Që këndej është i nevojshëm dhe mund të jetë edhe i dobishëm, raportimi i vazhdueshëm për aksidentet në trafikun rrugor, apo për çfarëdo fenomeni tjetër negativ në shoqërinë tonë. Mirëpo, gazetarët duhet të jenë të kujdesshëm në ilustrimin që i bëjnë aksidentit, duke shmangur publikimin e pamjeve të rënda nga aksidentet në rrugë, ku shihen shenja të gjakut apo gjymtyrë të të aksidentuarve.
Nëse raporti përmban fotografi e pamje, që më tepër kanë elemente sensacionale, atëherë nga qëllimi për ndërgjegjësim kalohet në interesin për të rritur klikueshmërinë. Në raportim shpeshherë përdoren fotografi të bëra dhe të dërguara nga qytetarët, të cilat duhet të verifikohen dhe të vendosen brenda kornizave etike para se të publikohen, sepse qytetari dërgues edhe mund të mos ketë njohuri për parimet etike gazetareske.
Prandaj, në çdo raportim duhet të ketë respektim të standardeve etike të gazetarisë, të cilat nuk e pengojnë asnjëherë përçimin e informacionit te publiku, por tërheqin vëmendjen që të mos cenohet privatësia e individit. Gazetari shpesh shpërfill interesin e publikut duke e ngatërruar me interesimin e publikut, si arsyetim për mënyrën se si ka raportuar, apo për pamjet e fotografitë e publikuara. Madje, me këtë lloj raportimi, ndonjë portal, ndonjëherë, mund të krijojë përshtypjen sikur të ketë etje për sensacionin, për groteskun, për iracionalen, për ...
Sidoqoftë, asnjëherë nuk bën të ngatërrohet interesimi i publikut me interesin publik, sepse interesimi i publikut mund të mos jetë gjithherë i ndërgjegjshëm. Për më tepër, çështja e interesit publik karshi privatësisë vazhdon të jetë ndër temat më të diskutueshme të gazetarisë në botë, në krye të herës për shkak se vështirë bëhet kufizimi deri ku shtrihet interesi publik dhe, ku fillon privatësia, pale pastaj që edhe gazetari mund ta ngatërrojë këtë raport, me apo pa dashje.
Synimi për rritjen e lexueshmërisë te portali shpeshherë rezulton me cenim të privatësisë së individit. E hasim shpesh kur portali zbulon identitetin e viktimës duke publikuar fotografi pa autorizim të askujt. Kështu kishte ndodhur edhe në raportimin nga aksidenti me fatalitet i E. I., kur portalet kishin zbuluar identitetin e saj nëpërmjet fotografive të nxjerra nga Facebooku.
Kodi i etikës, si një kornizë vetërregulluese për mediet e shkruara dhe ato online në Kosovë, e trajton raportimin etik karshi privatësisë apo interesit publik. Portalet kanë shtuar gamën e problematikës etike dhe ky kod ka për qëllim të përmirësojë nivelin etik të raportimit. Për personat që nuk janë figura publike, por që humbin jetën në aksident rrugor, apo çfarëdo lloj fatkeqësie tjetër, sipas Kodit etik të medieve, në raportim duhet të përdoren vetëm inicialet, që nënkupton se përdorimi i fotografisë që do ta identifikonte nuk diskutohet fare.
Mirëpo, Kodi i etikës shpërfillet në raportimet që gëlojnë nga moskujdesi me rastin e publikimit të fotografive dhe pamjeve të ngjarjeve të rënda aksidentale në trafikun rrugor, apo me përdorimin e fotografive të viktimave që nuk janë persona publikë. Këto lloj raportimesh kanë për qëllim ta shtojnë audiencën, por pa respektuar normat etike të gazetarisë.
Pra, portalet tona duhet ta përfillin parimin e etikës së gazetarisë që përkufizon qartë se nuk është në interes të publikut publikimi i fytyrës së personave jopublikë të aksidentuar. Mbi të gjitha, gazetari nuk është e domosdoshme të publikojë çdo fotografi e video që mund ta ketë në dispozicion.
(Autori është pjesë e stafit akademik në Departamentin e Gazetarisë/UP dhe doktorant)
/Marrë nga Koha Ditore/