Shllaku: Ndalja e veturave nuk e ul ndotjen
Drejtori i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Luan Shllaku, ka vlerësuar se ndalimi i qarkullimit të makinave në Prishtinë, është i mirëseardhur, por nuk do ta ulë ndotjen në Prishtinë
“Ndalimi i veturave shihet nga dy këndvështrime. Nëse në këtë masë është tentuar të ulet ndotja është gabim, nuk është ky ai vendim për ndalim të veturave që do të ul ndotjen. Kurse në anën tjetër është e mirë që në rrugë ka pak qarkullim të veturave. Ky është një test që mund të bëhet për të ardhmen për qytetarët e Prishtinës”, tha ai sot në emisionin e mëngjesit “Mirëmëngjesi Kosovë”.
Sipas tij, duhet të krijojmë shprehi që të mos dalim me vetura. “Është një proces i gjatë, do të provojmë me Prishtinën, pastaj edhe më gjerë”, tha ai.
Drejtori i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS), Luan Shllaku, tha se kjo që është marrë sot në Prishtinë është një masë urgjente.
“Ne shpejt do të bindemi se nuk është trafiku që po shkakton ndotjen. Kemi verës diasporën që verës është këtu, por nuk kemi ndotje”, vlerësoi ai.
Shllaku deklaroi se termocentralet e Kosovës A dhe B janë ndotësit më të mëdhenj.