Komuna e Pejës dhe Instituti për Politika Zhvillimore nënshkruajnë Memorandum Mirëkuptimi
Qëllimi i Memorandumit është krijimi i një kornize për bashkëpunim ndërmjet Komunës së Pejës, përkatësisht Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe INDEP-it për të promovuar mundësitë e punësimit, trajnimit dhe arsimimit për të rinjtë në Pejë.
Nëpërmjet këtij memorandumi, Komuna e Pejës - Drejtoria për Mirëqenie Sociale dhe Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) pajtohen të bashkëpunojnë në aktivitete të lidhura ngushtë me projektin me titull - NEET të rinj: mundësi të reja për punë dhe rritje të punësimit - financuar "UNEETED", nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) dhe Instituti për Studime Strategjike dhe Prognoza (ISSP).
Drejtoresha Mujaj – Bajraktaraj theksoi s’e objektivi i përgjithshëm i këtij projekti është rritja e punësimit së të rinjve dhe lidhja e tyre me punëdhënësit e mundshëm, që është në përputhje me qëllim më të gjerë social, i cili synon të rrisë dukshmërinë e problemeve dhe nevojave të popullatës së re NEET, si një grup vulnerabël i identifikuar.
Bashkëpunimi ndërmjet Komunës së Pejës - Drejtorisë për Mirëqenie Sociale dhe INDEP-it, është arritur me qëllim të përmirësimit të pozitës sociale të të rinjve, që nuk janë në Arsim, Punësim apo Trajnim (NEET) në Komunën e Pejës.
Memorandumi në fjalë do të jetë i vlefshëm për dy vjet nga data e ekzekutimit të tij.