Kryetari Muhaxheri priti në takim përfaqësuesen e Medicor Foundation, Sara Bachmann

PejëPostuar: 14:02 / 07.06.2023

Në takim është biseduar për subvencionimin e OJQ-ve, kriteret, standardet, procedurat e financimit publik për OJQ-të, nga Komuna e Pejës, për shërbimet e ofruara nga këto OJQ, për qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale në Komunën e Pejës, si dhe për mbështetjen e Medicor Foundation për shërbimet sociale në Komunën e Pejës.

Drejtoresha për Mirëqenie Sociale në Komunën e Pejës, Albulena Mujaj - Bajraktaraj i ndau mirënjohje përfaqësues së Medicor Foundation, Bachmann dhe e falënderoi për kontributin e dhënë në qëndrueshmërinë e shërbimeve sociale, sepse Medicor Foundation është një ndër donatorët më të rëndësishëm, që ka mbështetur zhvillimin e shërbimeve psikosociale me bazë në komunitet, të ofruara nga Qendrat e Kujdesit Ditor, që nga viti 2010, me qëllim fuqizimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjarët e tyre.

Medicor Foundation është fondacion me bazë në Lihtejnshtajn, që ka në fokus zhvillimin ndërkombëtar dhe përzgjedh për të mbështetur, projekte bindëse në fushën e kujdesit social, arsimit, shëndetësisë, si dhe kontribuon në përmirësimin e qëndrueshëm të mirëqenies dhe fuqizimit të personave të cenueshëm në vende të ndryshme të botës.