Përfundojnë dëgjimet buxhetore për Projekt - Buxhetin e Komunës së Pejës për vitin 2024
Dëgjimet buxhetore kanë filluar në Kuvendin Komunal të Pejës me OJQ, Shoqëri Civile dhe Klube Sportive, për të vazhduar me banorët e qytetit me të gjitha Bashkësitë Lokale, me banorët e fshatrave të Rugovës, pastaj në shkollën fillore në Nabërgjan është mbajtur dëgjimi publik me banorët e fshatrave Trestenik, Nabërgjan, Treboviq, Ruhot, Lutogllavë, Llabjan, Bllagajë dhe Nakull, në Qendrën Rinore në Vitomericë është mbajtur takimi me banorët e fshatrave Vitomericë, Katundi i Ri, Brestovik, Lipë, Dubovë dhe Ozdrim, në shkollën fillore në Novosellë është mbajtur takimi me banorët e fshatrave të Podgurit, në Qendrën Rinore në Gorazhdec është mbajtur takimi me banorët e fshatit Gorazhdec, në sallën e Kuvendit Komunal të Pejës është mbajtur dëgjimi buxhetor me gra, vajza, klube sportive të vajzave, si dhe organizatat, të cilat merren me çështje gjinore, në shkollën fillore në fshatin Raushiq është mbajtur dëgjimi me banorët e fshatrave Dobërdol, Llozhan, Graboc, Poçestë, Millovanc, Pishtan, Loxhë, Zllapek, Raushiq dhe Lubeniq, në shkollën fillore në fshatin Baran është mbajtur takimi me banorët e fshatrave të Lugut të Baranit, si dhe në shkollën fillore në fshatin Qyshk është mbajtur dëgjimi me banorët e fshatrave të Lugut të Leshanit.
Këto dëgjime janë organizuar nga Kryetari i Komunës së Pejës në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, si dhe Zyrën për Informim Publik.
Në takimin e mbajtur në shkollën fillore në fshatin Qyshk me banorët e fshatrave të Lugut të Leshanit kanë qenë të pranishëm Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj dhe Drejtoresha e Inspekcionit në Komunën e Pejës, Edonjeta Berisha.
Drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Pejës, Jeton Abazaj i përshëndeti të pranishmit, të cilët i njoftoi s'e jemi në proces buxhetor për planifikimin e buxhetit për vitin 2024, pra Peja do t'i ketë diku rreth 37 milionë euro buxhet, prej të cilave kategoria e pagave dhe mëditjeve tërheq masën më të madhe të buxhetit 17 milionë e 700 mijë, ndërsa pjesa e dytë pjesa e investimeve kapitale pritet, që të jetë diku rreth 12,5 milionë, mallra dhe shërbime do të jenë rreth 5.1 milionë, ndërsa pjesa e subvencioneve, pra këtë vit i kemi pas 800 mijë, ndërsa në bazë të kërkesës sonë fillestare për vitin e ardhshëm t'i kemi 1 milion e 30 mijë, ndërsa pjesa e fundit është pjesa e shpenzimeve komunale, që planifikohet, rreth 1 milion.
Qëllimi i këtyre dëgjimeve është të merren parasysh kërkesat e qytetarëve nga secili përfaqësues, pastaj Komisioni i Kuvendit dhe Komisioni i Komunës i udhëhequr nga Kryetari dhe Drejtori i Financave t'i nxjerrin prioritetet në mënyrë proporcionale në bazë të kapaciteteve buxhetore për hartimin e buxhetit të Komunës për vitin 2024.
Takimet për dëgjimet buxhetore janë mbajtur në të gjitha Bashkësitë Lokale dhe janë evidentuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.