Përurohet Qendra e Mjekësisë Familjare dhe Zyra e Gjendjes Civile në Vitomiricë të Pejës
"Sot me prezencën e saj na ka nderuar Presidentja e Provincës së Kozencës, Rosaria Succurro Sindaco, të cilën e falënderoj, që e ka ndarë kohën e saj të çmuar për të qenë e pranishme në Pejë në përvjetorin e 16-të, të Pavarësisë së Republikës së Kosovës. E përgëzoj stafin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vitomiricë për punën, të cilën e kanë bërë për këto 24 vite në ambulantën e vjetër dhe ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë!" - tha Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.
"Sot jemi dëshmitarë të hapjes së një objekti të ri të Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vitomiricë me standarde, kushte dhe një infrastrukturë bashkëkohore. Një falënderim të veçantë e kam për Kryetarin Muhaxheri dhe Drejtorin Loci, të cilët kanë bërë të mundur, që kjo Qendër Mjekësore të jetësohet sot." - tha Shefi i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Vitomiricë, Bujar Gashi.
"Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për rajonin e Vitomiricës, por edhe Ozdrimin, Dubovën, por edhe vendbanime të tjera, që përfshijnë edhe Komunën e Istogut. Deri më sot kjo qendër në objektin e vjetër për disa dekada ka shërbyer si Shtëpi e Shëndetit, ku janë ofruar shërbime shëndetësore nga stafi shëndetësor, ndërsa nga sot shërbimet shëndetësore të gjithë qytetarët do t'i marrin në kushte dhe ambiente jashtëzakonisht të mira. Urime!"- tha Drejtori për Shëndetësi në Komunën e Pejës, Petrit Loci.
Qendra e Mjekësisë Familjare, e cila është hapur sot ka një sipërfaqe, prej 600 metra në katror të përbëra nga tri dhoma mjekësore, një kabinet i stomatologjisë, një dhomë vaksinimi, një dhomë laboratori, një dhomë për terapi parenterale, një dhomë për injeksione dhe pastrim plagësh, sportelin, barnatoren doracake, si dhe krah saj Zyrën e Gjendjes Civile për qytetarët e këtij regjioni.
Ky është një investim kapital në kuadër të investimeve, që i bën Komuna e Pejës për shëndetësinë primare.