Po vazhdojnë dëgjimet buxhetore për Projekt - Buxhetin e Komunës së Pejës për vitin 2024
Këto dëgjime janë organizuar nga Kryetari i Komunës së Pejës në bashkëpunim me Drejtorinë për Buxhet dhe Financa, si dhe Zyrën për Informim Publik.
Në këtë takim kanë qenë të pranishëm Nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani, Nënkryetari i Komunës së Pejës për Komunitete, Mirzet Dzogovic dhe Drejtoreshat e Ekzekutivit, që po tregojnë transparencë ndaj qytetarëve dhe kërkesave të tyre.
Nënkryetari i Komunës së Pejës, Fatmir Asllani i përshëndeti të pranishmit, dhe Ju shpjegoj burimet e financimit të Komunës, prej nga financohemi dhe sa është buxheti i paraparë për vitin e ardhshëm, pra Peja do të ketë rreth 37 milionë euro buxhet, prej të cilave kategoria e pagave dhe mëditjeve tërheq masën më të madhe të buxhetit 17 milionë e 700 mijë, ndërsa pjesa e dytë pjesa e investimeve kapitale pritet, që të jetë diku rreth 12,5 milionë, mallra dhe shërbime do të jenë rreth 5.1 milionë, ndërsa pjesa e subvencioneve, pritet të jetë rreth 1 milion e 30 mijë, ndërsa pjesa e fundit është pjesa e shpenzimeve komunale, që planifikohet, rreth 1 milion, ku përfshihen pagesat dhe obligimet e tjera.
Qëllimi i këtyre dëgjimeve është, që të merren parasysh kërkesat e qytetarëve nga secili përfaqësues, pastaj Komisioni i Kuvendit dhe Komisioni i Komunës i udhëhequr nga Kryetari dhe Drejtori i Financave t'i nxjerrin prioritetet në mënyrë proporcionale në bazë të kapaciteteve buxhetore për hartimin e buxhetit të Komunës për vitin 2024.
Takimet për dëgjimet buxhetore janë duke vazhduar në të gjitha Bashkësitë Lokale dhe janë duke u evidentuar të gjitha kërkesat e qytetarëve.
Dëgjimet buxhetore do të vazhdojnë në ora 16:00, në shkollën fillore në Raushiq me banorët e fshatrave Dobërdol, Llozhan, Graboc, Poçestë, Millovanc, Pishtan, Loxhë, Zllapek, Raushiq dhe Lubeniq.