Aktorët kosovarë të suksesshëm në botë [video]

Postuar: 12:12 / 14.02.2016

Thuajse çdo ditë mediat shqiptare kanë kryetituj për sukseset e shqiptarëve në fusha të ndryshme, veçanërisht në atë të artit.

Për ata që patën arsye të forta për t’u larguar nga Kosova, në kërkim të një jete më të mirë dhe të zhvillimit të karrierës.

Kinematografia në vend ka pasur një zhvillim të madh kohët, e sidomos nëse e krahasojmë me vitet të para dhe pas luftës. Pikërisht ajo kohë bëri që një numër i madh i aktorëve, tashmë shumë të suksesshëm në botë, të largohen nga Kosova.

Shumica prej tyre tashmë janë emra të njohur të filmit dhe teatrit në vendet ku kanë zgjedhur të jetojnë, derisa në anën tjetër bëjnë krenar popullin shqiptar sa herë që emri i tyre përmendet. E nisim me atë që duket të jetë i pari që regjisorëve kosovarë iu bie në mend, kur bëhet fjalë për kastën e ndonjë krijimi të ri filmik apo teatral.

Fjala është për Alban Ukajn, aktori që qendrën e zhvillimit të karrierës e ka në Sarajevë. Duke e ndjerë nevojën për të ndryshuar vend, Sarajeva për Albanin ndodhi krejt rastësisht, raporton emisioni “Express” në KTV.

16 vjet më parë ai kishte qenë në një festival filmi atje dhe për aq kohë sa qëndroi Sarajeva e bëri për vete, duke parë edhe mundësinë për të vazhduar karrierën prej aktori atje.

Pas kësaj, Ukajt iu hapën shumë dyer. Brenda një kohe të shkurtër ai u bë pjesë e trupës rezidente të Teatrit të Sarajevës. Ai shton se Sarajeva i ndihmoi shumë që të zhvillohet profesionalisht. Pavarësisht kësaj, nëse kthehet mbrapa në kohë, nuk është i bindur nëse Sarajeva do të ishte përzgjedhja e tij, por megjithatë, edhe nëse jo në Sarajevë, ai gjithsesi do të largohej nga Kosova.

Ndonëse vlerëson zhvillimet e fundit që po bëhen sa i përket kinematografisë në vend, Ukaj konsideron se teatri nuk ka qenë asnjëherë më keq se tani. Kështu, pa dyshim Sarajeva konsiderohet shtëpia e tij e dytë, po megjithatë nuk janë të paktat rastet kur ndjehet i huaj atje, njëjtë siç ndodh kur ndodhet në Kosovë.

Karizmatik, punëtor dhe i talentuar, Alban Ukaj mbetet emër që dallohet në skenën filmike si në Kosovë, ashtu edhe në Bosnjë.

Aktori kosovar, Astrit Alihajdaraj, është shqiptari që po bën hapa të rëndësishëm në karrierën e tij artistike në Austri. Djaloshi nga Istogu është bërë shumë i njohur për publikun austriak, duke qenë personazh kryesor i shumë filmave dhe shfaqjeve teatrale.

Astriti konsiderohet si njëri prej aktorëve më të suksesshëm shqiptarë, të gjeneratës së re në Austri. Ai e kishte zbuluar talentin për aktrim kur ishte bërë pjesë e kastës së filmit debutues të Barbara Allbert, “Nordrand”, që kishte qenë pjesëmarrës në Festivalin e Filmit në Venecie më 1999.

Pas kësaj, ai u angazhua për disa projekte të tjera filmike e teatrore, dhe nisi shkollimin për aktrim në “Vienna Film School”. Sot Alihajdaraj është një emër i njohur në botën e filmit dhe teatrit. Ai ka interpretuar në role kryesore në disa filma të regjisorëve nga Kosova. Një ndër ta edhe në filmin “Agnus Dei”, me regji dhe skenar të Agim Sopit, film ky i cili ka pas vete mbi 50 çmime ndërkombëtare.

“Si shumë të tjerë edhe unë jam larguar nga Kosova në fund të viteve të 90-ta. Atëherë si i ri ishte shumë vështirë realizimi i një ëndrre të tillë në Kosovë. Por unë prapë provova dhe konkurrova në fakultetin e arteve, atëherë të improvizuar në Kosovë por nuk u pranova. Pas një kohë shumë të shkurtër kur erdha në Vjenë, pata fatin të marr pjesë në filmin “Nordrand” nga regjisorja Barbara Albert. Ishte ky viti 1999.

Ky film ishte i metrazhit të gjatë dhe unë që në start kisha një ndër rolet kryesore. E veçanta e këtij filmi ishte se e përfaqësoi Austrinë pas disa dekadave në Festivalin e Venecias dhe mori pjesë në shumë festivale të tjera dhe duke fituar shumë çmime. Pas këtij suksesi filluan të vijnë oferta tjera për filma dhe seri të tjera, kështu që vazhdova me këtë zanat. Ndërkohë e përfundova edhe shkollimin për aktor dhe që atëherë, tash 16 vite, punoj si aktor profesionist”, ka thënë Alihajdaraj për emisionin Express.

Suksesi i fundit i aktorit u pa në serinë “Soko Kicbyhell - Erl Erlösung” në ORF, prodhim i televizioneve ORF të Austrisë dhe ZDF. Në të luan rolin e një investitori shumë të pasur hotelesh. Kjo seri tashmë ka filluar të transmetohet në televizionin e njohur “ZDF”.