Arineta Mula synon të ngjitet në shtatë majat më të larta të kontinenteve
Është e para që ka shpalosur flamurin e Republikës së Kosovës në majën më të lartë në Rusi, në Elbrus, më 5 gusht të këtij viti, që është edhe maja më e lartë në Evropë. Ndër të paktat vajza që merren me alpinizëm nga Kosova, flamurin synon ta vendosë në shtatë majat më të larta në botë.
Arineta Mula, vajza nga Peja, ka vendosur të ngjitet në secilin kontinent në botë. Jo thjeshtë ngjitje, synon majat më të larta. Shtatë që janë gjithsejtë, synon t’i shkel si alpinistja e parë nga Kosova. Për këtë, Mula ka nisur iniciativën tashmë me përmasa botërore në alpinizëm, “SevenSummits”.
Në një intervistë për KosovaPress, Mula tregon planet e saj dhe tregon se çfarë do të thotë të jesh alpiniste në Kosovë. Derisa ka thënë se Elbrus mbetet përvoja më e mirë që ka pasur deri më tani.
“Ekspedita e radhës ishte ngjitja e majës më të lartë në Evropë që është Elbrusi. Sigurisht që e kam dit që nuk njihet pasaporta e Kosovës për atë arsye ka një vit që kam prit për me marrë pasaportën shqiptare, pas një kërkese zyrtare të bërë nga ambasadori i Shqipërisë këtu në Kosovë, pastaj Presidenti i Republikës së Shqipërisë na dha nënshtetësinë shqiptare. Përkrahja institucionale nuk ka munguar, e thash që një ditë para nisjes nga zyra e kryeministrit unë e kam marrë flamurin e Republikës së Kosovës të cilin edhe e ngjita në maje”, ka thënëMula.
Mula shpjegon përse zgjodhi majën e Rusisë, madje këtë e bëri pa udhërrëfyes/giude.
“T’u e marrë parasysh që “SevenSummits” quhet projekti ose ngjitja e 7 majave më të larta në 7 kontinentet e botës, ende nuk është realizuar në vendin tonë atëherë mendova të shkojë, dhe me mundësi sigurisht të marrë iniciativën që të fillojë këtë planifikim dhe t’i ngjitem në të gjitha majat më të larta të botës”, ka thënë ajo.
Mula kishte filluar me ecje në fund të vitit 2013, ku për një vit ka ecur nëpër malet brenda Kosovës. Dy vite më vonë, ekspedita e saj e parë ishte në vitin 2015, ajo u ngjit në Monte Blanc.
“Ideja nuk ka qenë për me mbërri deri këtu ku jam, por unë mendoj se gjithsecili duhet me gjet veten në diçka. Natyrshëm e kam gjet veten në male, unë mendoj me kalu krejt jetën time në male tash nuk e di qysh munden me qenë rrjedhojat e jetës por prioritet i imi janë malet”, tha ajo.
Vitin e kaluar, Arineta Mula dhe Nazmi Hasanramaj si pjesë e ekipit nga Klubi Alpin Prishtina, kishin ngjitur Everestin.
Në të njëjtën kohë në ekspeditë kishte shkuar edhe Flutura Ibrahimi por me ekip tjetër. Ka pasur mjaft polemika në opinion se cili ekip kishte mbërritur i pari në Everest, për çka përgjigjen e ka dhënë Mula për KosovaPress, për herë të parë.
“E vërteta e kësaj është se me 22 maj të vitit 2017 mendoj se 3 persona kanë mbërri domethënë me shënuar historinë e ngjitjes së flamurit të Republikës së Kosovës, e që domethënë ishim të ndarë në 2 ekspedita, ekspedita jonë që ishte Nazmi Hasanramaj dhe unë, dhe ekspedita tjetër që ishte Flutura Ibrahimi. Flutura domethënë është e vërtetë që ka mbërri para nesh por ne jemi taku në kurrizoren e fundit, derisa ajo ishte duke u kthyer teposhtë, ne ishim duke shkuar te maja që e shihnim majën. Por gjithsesi unë mendoj se janë 3 persona që e kanë bërë këtë datë historike sepse të tretë jemi ngjitë me sukses, është ngjitë flamuri i Kosovës dhe mendoj se e kemi vendos, e kemi shënuar një datë historike”, ka thënë ajo për KosovaPress.
Përveç Monte Blanc, Everest dhe Elbrus, Mulaka është ngjitur tashmë edhe në Triglaven në Slloveni si dhe Musalan në Bullgari, po ashtu majën më e lartë në Afrikë - Kilimanjaron.
Një arritje të cilën e veçon ndërkaq është ngjitja e Matterhorn, që është një prej ngjitjeve më teknike në Zvicër e që ajo e konsideron si vulë të suksesit ngase kishte arritur atje për tetë ditën, majën që mendohet të ngjitet për katër javë.
“Kisha mund me cek diçka që sa i përket frikës nuk mendoj që, është budallallëk nëse thua që nuk ka frikë me një mal, se ma shumë është frika e përgjegjësisë se kënd e ke lanë, është frika e përgjegjësisë së familjes, shoqërisë, njerëzve që i mban mend që të kanë përcjellë dhe t’i duhesh me u kthye mirë për ta se ata të presin ty. Të kap njëfarë frike në kuptimin se t’i duhesh me u kthye mirë dhe nuk ja vlen t’i me rreziku, kështu që në asnjë moment unë nuk e rrezikoj veten, mundona me menaxhu qoftë energjinë qoftë të gjitha që me u kthye mirë, kjo është ma me rëndësi”, tha ajo.
Mula, e cila përherë ngjet edhe flamurin e Kosovës edhe atë të Shqipërisë në malet që ngjet, ka treguar se cilin prej tyre e ngjet më me qejf në malet që ngjet ajo.
“Nuk është lehtë me i mbajt të dy flamujt gjithë kohën, por është motiv me i mbajt, por secili ma krijon ndjenjën e veçantë. Me flamur të Shqipërisë ndihem shqiptar, dhe për arsye se jemi shtet i ri jemi mësuar me pa flamurin kuq e zi krejt kohën dhe ndjenjën për vendin tonë normalisht që më bën mu shqiptar flamuri i Republikës të Shqipërisë që me shumë kënaqësi unë e ngriti dhe do të vazhdoj me ngritë flamurin e Shqipërisë. Sa i përket anën tjetër, flamuri i Republikës të Kosovës po na krijon një identitet tonin tash ne e kemi këtë flamur dhe unë mendoj se duhet me respektuar flamurin tonë. Ka tash vite që e kemi këtë flamur dhe ndjej respekt, ndjej identitet të shtetit të Kosovës me këtë flamur. Do të thotë janë dy ndjenja të veçanta që nuk mundem me i nda”, tha ajo.
Këtë vit Mula do të fillojë punën edhe me si guidë ose udhërrëfyese nëpër shtegun që quhet ‘Peaks of the Balkans’ apo Majat e Ballkanit për kompaninë e njohur të bjeshkatarisë “Balkan Natural Adventure”.
Aktualisht është në njërën nga to, me një grup anglezë ku do qëndrojnë 10 ditë.