Arjeta Mjeku, si e bëri të famshëm aplikacionin e KRU “Prishtina” me veç 36 fjalë
Në kohën kur diskutimi për Marrëveshjen e arritur nga Kosova me Serbinë është temë nga televizionet te tavolinat e lokaleve dhe dhomat e shtëpive, të marrësh vëmendje me çka do ngjan e pamundur.
E pamundur, përveç nëse quheni Arjeta Mjeku dhe jeni zëdhënëse e Kompanisë Ujësjellësi Rajonal “Prishtina”.
Me një njoftim prej 36 fjalësh dhe 197 shkronjash, Mjeku u bë virale në hapësirën e rrjeteve sociale në Kosovës.
Ekspertët e marketingut digjital e kanë quajtur “gjeni”, derisa nga ata të komunikimit strategjik është vlerësuar jashtëzakonisht lartë për gjetjen unike të një njoftimi fare të thjesht.
“E kam pritur” që do të pëlqehet thotë Mjeku, “por jo kaq shumë”, në një intervistë të shkurtër për Albanian Post.
Çfarë bëri?
Kompania e Ujësjellësit Komunal “Prishtina”, një kompani që njerëzit e njohin vetëm për njoftimet e ndërprerjes së ujit, ka lëshuar në funksion një aplikim ku mund të bëhet pagesa e faturave online.
Mjeku deshi t’iu tregoj klientëve për këtë risi, por e bëri me diçka të vjetër.
Ajo njoftimin fillimisht e shkroi në një letër me dorë, më pas letrën e fotografoi dhe e publikoi si njoftim.
Paraprakisht, para se të njoftonte për aplikacionin, Mjeku falënderoi konsumatorët.
“Konsumatorë të nderuar! Faleminderit për pagesa të faturave të ujit! Ju lutem, pa humbur kohë, shkarkoni aplikacionet e – KRUP në IOS dhe Android! Nxitoni! Mundësi të panumërta! Afër, lehtë dhe shpejt. Me nderime KRU “Prishtina” SH.A”.
Aq shumë shpërtheu njoftimi, sa që të gjithë e shpërndanë.
Por, pse zgjodhi këtë formë?
“Këtu e kam bërë një ndërlidhje të së shkuarës me të tashmen”, thotë ajo për Albanian Post.
“Një ndërlidhje të gjeneratave kur i kanë kushtuar rëndësi bukurshkrimit dhe tash që nuk i kushtojnë, e që mendoj se është shumë e rëndësishme për zhvillim fizik dhe mendor”, pohon Mjeku derisa sqaron njoftimin viral.
Një nga veçorit e njoftimit dhe që la shumë përshtypje ishte drejtshkrimi, por edhe bukurshkrimi.
Dukej sikur kaligrafi forma e shkronjave në letër.
Mjeku megjithatë nuk është gjuhëtare, ajo tregon se ka qenë “në fakultetin e matematikës”, por e “kam përfunduar fakultetin e gazetarisë”.
“Realisht jam ndjerë shumë shumë mirë kur ekspertë të marketingut dhe analistë të njohur e kanë vlerësuar lartë. Qëllimi i shkrimit ishte organika, diçka ‘bio’”.
Kur e kishte shkruar, nuk është që s’e kishte pritur, “por jo edhe kaq shumë”.
Më e rëndësishmja, mesazhi ka shkuar edhe te klientët dhe është kuptuar prej tyre.
“Ka pas shumë dhe madje sot në mëngjes te dyert e KRUP pritnin njerëz që të kryenin pagesa për ujë”, thotë Mjeku për AP.
Përtej një njoftimi, ajo lidh shkrimin me dorë, të kaluarën, edhe me vlerat që dikur, sipas saj, ekzistonin më në masë e më intensive.
“Sot, na mungon dashuria për njëri tjetrin, na mungon lapsi dhe letra, na mungon lumturia e së shkuarës, kur me pak kemi gjetur kënaqësinë çdo ku”.
“Me pak, mund të jesh i lumtur. Me pak, bën famë. Me pak, i kënaqë të tjerët. Me pak, gëzohesh. Andaj, të mos fokusohemi te gjërat materiale, sepse lumturia vjen nga brenda, nga vetvetja”.
Përtej mesazhit për klientët, ka mesazh për të gjithë.
“Inkurajoj të rinjtë që të kenë fletore me vete dhe një laps, në vend të telefonit. Apeloj te gratë që të mos i hedhin goblenat, siç i kemi quajtur më parë, sepse ato kanë vlerë, t’i marrin dhe të ia vendosin nga një kornize të re. Ato shërbejnë njëjtë si pikturat e ditës së sotme, sepse gratë kanë bërë me 6 muaj ta punojnë një goblen të tillë, një punim me vlerë”.
Në fund të fundit, thotë Mjeku, “përmes letrave me shkrim, shprehet dashuria dhe miqësia me e sinqertë”, prandaj ajo ka dashur që me dashuri dhe sinqeritet t’iu drejtohet klientëve të kompanisë ku punon. /Abanian Post/