Fluturakja nga Llapi
PodujevëPostuar: 10:49 / 25.09.2016
Qielli ishte përplot re në një ditë shtatori në fshatin Pakashticë e Poshtme të Podujevës. Por, kjo nuk ishte arsyeja për të mos fluturuar në qiell.
Fluturakja e Baki Bakiut (1975) i përket modelit të helikopterëve dhe retë nuk ishin pengesë. Edhe shpejtësia e motorit të tij nuk kapërcen 180 km/h. Prandaj, mundësia për të fluturuar poshtë reve është më e lehtë, shkruan sot Koha Ditore.Bile, Bakiut nuk i duhet as ndihmë nga Aeroporti ndërkombëtar i Prishtinës Adem Jashari se nga të orientohet. Jo se nuk do ta pëlqente një gjë të tillë. Por, për shkak se helikopteri i tij nuk largohet përtej lagjes. Ka frikë se nuk do të kthehet më.
Fluturakja Made in Pakashtica ngjason me modelet e para të helikopterëve antikë. Vetë pronari i tij, Baki Bakiu, duket sikur i përket kësaj epoke. Atëherë, kur bëheshin përpjekjet e para për tu ngjitur në qiell.
Dhe Bakiu duket se ka trashëguar diçka nga egjiptianët e kinezët e lashtë, shkencëtari Ibn Firnas, Leonardo da Vinçi e vëllezërit Montgolfier .