KKSB shqyrtoi gjendjen e sigurisë në Podujevë
Lidhur me pikën “Raporti i Policisë së Kosovës për gjendjen e sigurisë në komunë”, raportoi togerja Valbona Blakqori, e cila theksoi se gjendja e përgjithshme është stabile dhe e menaxhushme. Togerja Blakqori prezantoi një përmbledhje për periudhën tre mujore 1 korrik - 30 shtator, duke theksuar që përgjatë kësaj periudhe ka patur angazhime jashtëzakonisht të shumta, duke pasur parasysh edhe ardhjen e diasporës e cila është e natyrshme që me shtim te rasteve të shtohet edhe asistenca policore, me angazhime shtesë edhe pas orarit të punës.
Gjatë kësaj periudhe kohore janë regjistruar këto raste: 1 vrasje, 1 vetëvrasje, 33 kanosje, 3 raste të ngacmimit, 17 sulme, 26 lëndime të lehta trupore, 1 rast sulm seksual, 20 raste të dhunës në familje, 8 raste të narkotikëve, 24 raste të vjedhjeve, 22 raste të vjedhjes së rëndë, 1 vjedhje grabitqare, 3 raste të shantazhit, 6 raste shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, 29 raste posedim i pa autorizuar i armëve, 15 raste përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm, 1 rast pengim i personit zyrtar, 2 raste sulmeve ndaj personave zyrtarë, 128 raste të aksidenteve në komunikacion prej tyre 19 me lëndime.
Sa i përket angazhimeve operative e taktike në teren janë hartuar dhe implementuar 66 plane operative. 75 persona të arrestuar nga ta 42 janë ndalur ne qendrën e ndalimit, 215 urdhërsa penale janë realizuar rreth personave të kërkuar me urdhëresë të gjykatës dhe janë shqiptuar 3017 gjoba sipas ligjit të trafikut rrugor.
Përfaqësuesja e KFOR-it dhe përfaqësuesi i FSK-së gjithashtu gjendjen e përgjithshme të sigurisë në Komunën e Podujevës e vlerësuan të qetë dhe stabile.
Informatën për Planin e Reagimit Emergjent e prezantoi drejtori i drejtorisë së Shërbimeve, Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim, Bahri Selimi, ku theksoi që rëndësia e këtij plani është jashtëzakonisht e madhe në sigurinë e përgjithshme të Komunës.
Drejtori Selimi tha se ky draft plan ofron reagimin ndaj emergjencave dhe fatkeqësive me qëllim të shpëtimit të jetëve; mbrojtjes së shëndetit publik, sigurisë dhe të mirave materiale; restaurimin e shërbimeve esenciale; dhe mundësinë e asistimit në rimëkëmbjen ekonomike. Drejtori rikujtoi se plani është në diskutim publik 1 muaj ku të gjithë mund t’i paraqesin propozimet, kritikat dhe sugjerimet në formë elektronike dhe fizike, gjithashtu edhe me pjesëmarrje direkte në debatin publik që do të mbahet më 31 tetor.
Informatën nga SHZSH për intervenimet dhe gatishmërinë në rastet kundër zjarreve dhe intervenimet tjera gjithashtu e dha drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, ku theksoi që në periudhën kohore nga 1 janar 2023 deri më 15 tetor 2023 është intervenuar në 574 raste, ndërsa në të njëjtën periudhë kohore në vitin 2022 ishte intervenuar 378, ku sipas kësaj statistike ka rritje të numrit të intervenimeve. Struktura e zjarreve për këtë periudhë është; 28 raste të djegieve të objekteve ndërtimore, (shtëpi banimi, objekte ndihmëse), 47 raste djegie të pyjeve, pishave, dhe 294 raste djegie të hamulloreve, fushave dhe kullotave, 75 raste tjera intervenime në mbeturina, aksidente të komunikacionit rrugor dhe shërbime të ndryshme. Ndërsa 54 raste intervenimi në vërshime ku janë evakuuar dhjetëra qytetarë.
Për këtë pikë diskutuan anëtarët e KKSB-së ku dhanë sugjerimet për parandalim të këtyre dukurive. Informatën për sigurinë në komunikacion dhe trajtim të qenve endacak, e paraqiti gjithashtu drejtori i Shërbimeve Publike, Bahri Selimi, ku tha se trajtimi i qenve ka qenë i kujdesshëm dhe i specializuar, duke treguar nivel të lartë të aftësisë dhe kujdesit ndaj këtyre kafshëve. Numri i qenve të kastruar në periudhën 25.05.2023 deri më 29.08.2023 ka qenë 230, ndërsa i eutanazisë 6.