Nderohen me mirënjohje mësimdhënësit llapjanë në Ditën e Mësuesit

PodujevëPostuar: 15:43 / 07.03.2018

Në manifestim e organizuar për nder të 7 Marsit – Ditës së Mësuesit, nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, ka uruar mësimdhënësit llapjanë dhe ka ndarë mirënjohjet, me të cilat i ka nderuar kryetari Agim Veliu mësimdhënësit e dalluar dhe ata që kanë shkuar në pension, si dhe ka ndarë mirënjohje për mësimdhënësit që kanë ndërruar jetë brenda vitit të fundit kalendarik, raporton InfoKomuna.

Nënkryetari Rudari foli rrugëtimin dhe zhvillimin e sprovat nëpër të cilat kaluan mësimdhënësit, që nga hapja e shkollës së parë shqipe.

“Dita e Mësuesit- 7 Marsi, është dita e misionarëve që përhapin dijen, edukojnë dhe mësojnë brezat ndër shekuj. Në shënim të kësaj dite kujtojmë sakrificat e mëdha në rrugën e dijes dhe të lirisë. Kujtojmë 7 marsin e vitit 1887, kur u hap mësonjëtorja e parë shqipe e Korçës, e cila bëri të mundur që dituria dhe mendja e ndritur e kombit tonë ta përmbyste përgjithmonë heshtjen dhe asimilimin, që të tjerët padrejtësisht me shekuj na kishin imponuar”, tha nënkryetari Rudari.

Më tej, nënkryetari Rudari tha se “kjo ditë është edhe një rast i mirë për të përkujtuar ata që vunë themelet e shkollës shqipe, mundin dhe sakrificën që bënë, por edhe për të rikujtuar se na presin shumë punë në të ardhmen për të qenë në shërbim të dijes, nxënësve dhe atdheut. Duke e kuptuar rolin dhe rëndësinë e misionit të tyre, për të mirën e arsimit shqip, të atdheut dhe kombit, mësuesit u vunë në ballë të të gjitha proceseve”.

“E kemi për obligim, që sa herë mblidhemi për të shënuar përvjetor, si ky i Ditës së Mësuesit, të kujtojmë mësimdhënësit që me punën, guximin dhe vetësakrificën e tyre lanë gjurmë e bënë histori në arsimin shqip në Kosovë. E të tillë ishin: Fehmi Agani, Latif Berisha, Xhavit Ahmeti, Halit Geci, Shaban Jashari, Fazli Greiçevci, Shaban Shala, Nuhi Gashi e shumë tjerë. Krahas atyre që dhanë shumë për arsimimin e shumë brezave, janë edhe mësuesit që në luftën e fundit, dhanë jetën në mbrojtje të nxënësve dhe shkollës shqipe, në mbrojtje të vendit dhe popullit”, tha nënkryetari Rudari.

Nënkryetari Rudari tha se “19 vite pas luftës shkollat janë rindërtuar dhe infrastruktura fizike dhe arsimore është përmirësuar. Por, mbetet ende për të bërë në ngritjen e cilësisë në sistemin arsimor”.

“Do të bëjmë gjithë të mundurën që të përmirësojmë kushtet për punë dhe mësim, duke përmirësuar infrastrukturën aktuale shkollore, por edhe duke ndërtuar shkolla të reja. Jemi duke ndërtuar trotuare në rrugët që çojnë afër shkollave në gjithë territorin e komunës. Shumicën e shkollave i kemi bërë me ngrohje qendrore dhe kemi filluar t’i pajisim me laboratorë e kabinete për të përmirësuar cilësinë në mësimdhënie e në të nxënë”, tha nënkryetari Rudari.

Duke i uruar mësimdhënësit, nënkryetari Rudari tha se “mësuesia nuk është vetëm profesion. Është edhe mision. Një mision për ta bërë njeriun dhe shoqërinë sa më të denjë për të jetuar”.

Me këtë rast nënkryetari Rudari ka shpërndarë mirënjohjet me të cilat Kryetari i Komunës Agim Veliu ka nderuar mësimdhënësit e dalluar të shkollave fillore dhe të mesme, mësimdhënësit që janë pensionuar brenda vitit të fundit shkollor, kurse me mirënjohje post-mortum mësimdhënësit që kanë ndërruar jetë gjatë vitit të fundit.

Këtë manifestim e kanë begatuar me një program artistik Kori i Gjimnazit “Aleksandër Xhuvani”, Grupi i Baletit dhe Vallëzimit “Ana’s dance” dhe Shkolla për Kitarë “Mirela”./InfoKomuna/