Kryetari Rama uron 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas
Urimi i plotë i kryetarit Rama:
“Të nderuara nëna, motra, vajza dhe gra të dashura, ju që jeni themelet e forta të familjeve dhe kolonat mbajtëse të kombit tonë, ju dërgoj urimet më të përzemërta në këtë ditë të shënuar, 8 Marsin.
Shteti ynë ndërtohet mbi vlerat dhe parimet që ju përfaqësoni; forca, vendosmëria dhe dashuria juaj e bëjnë atë më të fortë dhe më të qëndrueshëm.
Në Prishtinë, ne mbetemi të vendosur për ta bërë realitet këtë vizion. Ne jemi të përkushtuar që t’i përkrahim e t’i fuqizojmë gratë dhe vajzat përmes programeve proaktive dhe politikave parandaluese.
Çka do të thotë kjo konkretisht:
- Po i mbështesim viktimat e dhunës në familje: kemi nda fonde për to, kemi rinovuar strehimore dhe kemi ofruar trajnime profesionale për t'i ndihmuar viktimat e dhunës në familje që ta kthejnë pavarësinë dhe ta jetojnë jetën me dinjitet.
- Po e nxisim shpirtin sipërmarrës: gratë po i fuqizojmë që të bëhen sipërmarrëse të zonja, duke u ofru aftësitë dhe burimet që u nevojiten për të pasë sukses, në qytet e në fshatra.
- Po i japim prioritet shëndetit të grave: duke ofru mamografi falas dhe duke promovu zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit sepse shëndeti i gruas është shtylla më e rëndësishme e mirëqenies mbarësociale.”