Kuvendi i Kryeqytetit mban mbledhjen solemne me rastin e festës së 28 Nëntorit

PrishtinëPostuar: 18:29 / 28.11.2023

Me rastin e kësaj feste dhe mbajtjen e kësaj mbledhje, kryetari Perparim Rama ka shkruar:

28 Nëntori, dita kur shpirti na kumbon me jehona prej historisë – të asaj historie të madhëruar me trimërinë e Skënderbeut, me vetëmohimin e stërgjyshërve tanë në vitin 1912, e me shpirtin e paepshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që doli publikisht pikërisht në ditën e 28 nëntorit të vitit ‘97.

28 Nëntori për ne është shumë më shumë sesa një tjetër datë në kalendar, sepse është testamenti i gjallë i qëndrueshmërisë sonë, është kronika e betejave që i kemi zhvilluar, është shpallje e pavarësisë dhe është festë e lirisë, që e kemi aq të shtrenjtë.

Në këtë kuqezinë që na e mbështjell sot gjithë tokën tonë, e më tej, që sot valëvitet kudo që tubohen shqiptarët, ne kthehemi në protagonistë që transmetojnë një simbol të fuqishëm -- e ky është manifestimi kolektiv i identitetit tonë, i cili na e mishëron unitetin dhe forcën që ka ky popull i joni.

Gëzuar 28 Nëntorin! E festofshim përherë të lirë e gjithmonë më të bashkuar!