Mbahet Seanca Solemne e Kuvendit Komunal të Prishtinës me rastin e 17 Shkurtit – Ditës së Pavarësisë së Kosovës
Lidhur me këtë, kryetari Rama ka thënë:
“Gëzuar Ditën e Madhe të Pavarësisë!
Sot, le ta mbushë këtë sallë, ashtu si edhe krejt Prishtinën, dhe mbarë Kosovën, fryma festive e 17 Shkurtit!
Para 16 vjetësh, Kosova, e mbajtur gjatë nën shtypje e sakrifica, e hapi më në fund kapitullin e saj të lirisë, duke e nisë kështu rrugëtimin e pavarësisë. Ndaj sot, ne nuk po shënojmë veç një tjetër përvjetor, por po e festojmë një ngadhënjim!
Le t’i kujtojmë heronjtë tanë, që me dekada të tëra, me gjithë shtypjen, represionin, burgosjet, keqtrajtimet e vrasjet, guxuan me ëndërru. Le t’i kujtojmë studentët që marshuan në protesta më 1968, më 1981, më 1997, udhëheqësit tanë kulturorë e politikë, me në krye Presidentin tonë historik, Ibrahim Rugovën, që ngritën zërin kundër padrejtësive, veprimtarët e lëvizjes ilegale, që kurrë nuk e lanë shpresën me u fikë, dhe patjetër, luftëtarët e UÇK-së, që të frymëzuar prej komandantit legjendar Adem Jasharit, për liri nuk kursyen as jetën e vet.
Le ta kujtojmë secilin dhe secilën që guxoi me besu në një të nesërme të çliruar prej zinxhirëve.
Janë vetëmohimi dhe flijimi i tyre ato që neve na e shtruan rrugën nëpër të cilën po ecim sot.
E ne, që lirinë dhe pavarësinë po i gëzojmë, nuk jemi thjesht të mbijetuarit. Ne jemi bajraktarët e kësaj Kosove tashmë të lirë! Përgjegjësitë tona nuk janë më pak të mëdha a të rëndësishme. Vendi shkon përpara, kur ne punojmë për zhvillimin e mirëfilltë të tij.
Po, flamuri ynë tash po valëvitet përkrah atyre të kombeve të tjera, demokracia jonë po dëshmohet shembullore në rajon, shteti ynë po përfaqësohet në organizma si FMN-ja, Banka Botërore, e Komiteti Ndërkombëtar Olimpik. Kryeqyteti ynë përflitet në revista botërore të artit e sportit.
Së shpejti po e presim edhe ulësen tonë në sallat e Këshillit të Evropës. Produktet "Made in Kosova" po pushtojnë tregje të reja, atletët tanë po korrin suksese ndërkombëtare, filmat tanë po i mahnisin juritë e festivaleve ndërkombëtare. Sivjet vitin e nisëm me fitoren e radhës – heqjen e vizave nga zona Shengen. Mos të harrojmë: çdo arritje, çdo moment historik, është një deklaratë e zëshme që thotë: Kosova nuk po mbijeton, ajo po lulëzon!
Por, sfidat janë si hija – nuk të ndahen kurrë! E, këto hije nuk duan heshtje, por kërkojnë veprim. T'u hedhim dritë, jo vetëm me fjalë, por me punë! Prandaj, le të mos jemi brezi që mjaftohet veç me e trashëgu lirinë, këtë amanet të sa e sa brezave më parë. Le të jemi brezi që përcakton kuptimin e saj të vërtetë. Le të bëhemi brezi që lufton hijen e korrupsionit, i sheshon pabarazitë, sigurohet që kujdesi shëndetësor të mos jetë privilegj, por e drejtë. Le të investojmë në arsim, t’i forcojmë institucionet dhe ta mundësojmë një ekonomi të ushqyer prej inovacionit.
Dihet se rruga përpara nuk është e lehtë, por mos të harrojmë, ne qëndrojmë përmbi supet e gjithë atyre gjigantëve që Kosovën e sollën deri këtu. Le t’i nderojmë sakrificat dhe mundin e tyre, duke e ndërtu një Kosovë më të drejtë, më të fortë, më të ndritshme për të gjithë.
Bashkarisht, le të ngjitemi në majat e ëndrrave tona.
Le të jemi brezi që përjetësinë e saj e kthen në realitet të fortë e të qëndrueshem, jo vetëm për veten tonë, por për brezat që do të vijnë. Le të shkruajmë kapitullin e radhës me bojën e përbashkimit, bashkëpunimit dhe vendosmërisë së palëkundshme.
Në ditë të shënuara si kjo e sotmja, politikanët shpesh bëjnë thirrje që t’i lëmë mënjanë dallimet. Unë, që politikan nuk jam, them – le ta kthejmë unitetin në mënyrën e përhershme të të qenit. Sepse “Tjetri”, edhe kur nuk ndan të njëjtat mendime, nuk duhet pa si kundërshtar. Tjetri mund të shihet gjithmonë si partner.
Shpesh e gjej veten duke e imagjinu botën si në këngën e John Lennon-in, që i imagjinonte "krejt njerëzit e kësaj bote duke jetu në paqe e harmoni". Dhe ëndërroj për një Kosovë ku të gjithë qytetarët, pavarësisht prej prejardhjes, etnisë, fesë, besimit politik a çfarëdo, mund të jetojnë së bashku në harmoni. Kjo është trashëgimia e vërtetë, që duhet të përpiqemi të ndërtojmë mbi themelet e vëna nga heronjtë tanë.
Kosova nuk është vetëm e secilit prej nesh, por e të gjithëve bashkë. Secili prej nesh, ia shton një gur të veçantë mozaikut tonë të përbashkët, duke e fuqizu dhe duke e hijeshu atë për të gjithë.
Le ta ndërtojmë prandaj një Kosovë me të gjitha ngjyrimet tona, që ta pasqyrojë begatinë e zërave tonë të ndryshëm. Uniteti le të jetë mburoja jonë, kurse diversiteti forca jonë!
Gëzuar Ditën e Pavarësisë! Shteti i Kosovës dhe shpirti i popullit të saj, qofshin të fortë përjetë!