Pushteti Gjyqësor

Pushteti në Republikën e Kosovës është i bazuar në parimin e ndarjes, kontrollit dhe balancimit në mes pushtetit ekzekutiv, legjislativ dhe gjyqësor.


Pushteti gjyqësor në Republikën e Kosovës është unik, i pavarur dhe ushtrohet nga gjykatat. Ushtrimi i pushtetit nga gjykatat bëhet në pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës, si dhe marrëveshjet ndërkombëtare të zbatueshme në Kosovë.


Sistemi i gjykatave i Republikës së Kosovës përbëhet nga: Gjykatat Themelore, Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme


Gjykatat Themelore janë gjykata të shkallës së parë në territorin e Republikës së Kosovës. Sipas Ligjit për Gjykata funksionojnë shtatë Gjykata Themelore:  e Prishtinës, Gjilanit, Prizrenit, Gjakovë, Pejës, Ferizajt dhe e Mitrovicës, dhe përveç selisë kryesore, secila Gjykatë Themelore ka degët e veta.


Gjykata e Apelit funksionon si gjykatë e shkallës së dytë, me juridiksion territorial në gjithë Republikën e Kosovës. Selia e Gjykatës së Apelit është në Prishtinë.


Gjykata Supreme e Kosovës është instanca më e lartë gjyqësore në Kosovë dhe ka juridiksion në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Gjykata Supreme përfshin kolegjin e apelit të Agjencionit Kosovar të Pronës si dhe Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, gjyqtarët e së cilës janë pjesë e Gjykatës Supreme.  Selia e Gjykatës Supreme është në Prishtinë.


Për më tepër rreth organizimit, juridiksionit dhe strukturës së gjykatave në Republikën e Kosovës mund të klikoni në Ligjin për Gjykatat Nr. 03/L-199