Qeverisja Vendore

Procesi i reformimit të pushtetit lokal dhe decentralizimit përbën një proces shumë kompleks dhe kërkon themelimin e komunave të reja, bartjen graduale të kompetencave nga institucionet qendrore në pushtetin lokal, duke ngritur kapacitetet lokale për vetëqeverisje efektive dhe reformuar sistemin e financave lokale, si dhe miratimin e ligjeve të reja.Krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të vetëqeverisjes lokale në të gjithë territorin e Kosovës do të sigurojë kushte të mira jetese për të gjithë qytetarët e saj duke i kushtuar kujdes të posaçëm nevojave dhe brengave të komuniteteve jo shumicë në Kosovë.
 
UNIMIK-u dhe Qeveria e Kosovës në vitin 2005 miratuan dokumentin kornizë për reformimin e Pushtetit Lokal dhe decentralizimin.
Ky proces kërkon veprim nga të gjitha ministritë nën drejtimin e Grupit Ndërministror për Decentralizim (GND) i kryesuar nga Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal që të krijohen politika dhe veprime për themelimin e komunave të reja dhe implementimin e procesit të decentralizimit.
GDN-ja do të përmbushë këto objektiva

  • Reforma e Legjislacionit për vetëqeverisje
  • Themelimi i komunave të reja
  • Bartja e kompetencave dhe resurseve
  • Ngritja dhe zhvillimi i kapaciteteve të komunave



Për të qenë njësi efektive e qeverisjes lokale një komunë duhet të përmbushë këto kushte

  • Të ketë kufijtë administrativë të përcaktuar qartë
  • Të ketë sistem zgjedhor demokratik që prodhon organe legjitime
  • Të ketë përgjegjësi dhe kompetenca të përcaktuara dhe të garantuara me ligj
  • Të ketë burime të mjaftueshme financiare dhe autonomi financiare për të përmbushur përgjegjësitë e saj
  • Të ketë kapacitete njerëzore dhe administrative për të ushtruar përgjegjësitë dhe për të ofruar shërbimet ndaj qytetarëve


Pushteti lokal i Kosovës tani përbëhet nga 30 komuna dhe 3 Pilot Njësi Komunale me kompetenca të gjëra në shumë fusha, por parashihet themelimi i 6 (5+1) komunave të reja si dhe konvertimi i Pilot Njësive Komunale në komuna me të drejta të plota.