Kryetari Latifi kujtoi e nderoi viktimat e Masakrës së Reçakut
Lidhur me këtë ditë, kryetari Latifi ka shkruar:
“E kaluara nuk mund të zhbëhet
Sot, në Kompleksin Përkujtimor në Reçak, nën peshën e kujtimeve për ata që s’janë, bashkë me Kryetarin Ramush Haradinaj dhe me kolegë, kujtuam, u përkulëm dhe nderuam sakrificën e tyre në një ditë si kjo, e cila me plot të drejtë shënohet si Dita e Gjenocidit.
Më 15 janar 1999, forcat serbe në fshatin Reçak, ndanë meshkujt nga familjet e tyre dhe më pas ata u gjetën të ekzekutuar në një mal në afërsi të fshatit. Atë kohë, shefi i misionit të OSBE-së, ambasadori William Walker, Masakrën e Reçakut e kishte cilësuar si “Krim kundër njerëzimit”.
Krimet gjenocidiale të Serbisë mbeten të pandëshkuara edhe sot nga drejtësia.
Ne, asnjëherë nuk do të pushojmë së kërkuari drejtësi për të gjithë fëmijët, gratë, pleqtë e burrat që u masakruan pamëshirshëm nga ky shtet që as sot nuk heq dorë nga politikat gjenocidiale.
Lavdi të gjithë të rënëve!
Ne nuk e harrojmë të kaluarën!
Ne nuk e falim krimin!”