Falsifikoi dhe shiti pronën në Dhërmi, arrestohet topografi i bashkisë së Himarës
Topografi i Bashkisë së Himarës Elton Marko është vënë në prangat e policisë. Sipas bluve ai dyshohet se ka falsifikuar formularin e aktit të marrjes së Tokës në pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur te persona të tjerë.
Në lidhje me këtë çështje Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë arrest me burg për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Tashmë materialet hetimore i kanë kaluar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
“Nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Vlorë u bë ekzekutimi i vendimit të datës 06.11.2021, të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal “Arrest në burg” për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”, për shtetasin E. M., 41 vjeç, banues në Himarë, me detyrë topograf pranë Bashkisë Himarë, pasi dyshohet se ka falsifikuar formularin e Aktit të Marrjes së Tokës në Pronësi, të cilin e ka përdorur për regjistrimin e një pasurie në fshatin Dhërmi dhe më pas e ka shitur tek persona të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.
Problemi me falsifikimin me pronat në Dhërmi një muaj më parë çoi në pranga drejtorin e zyrës së administrimit të Tokës Bardhi Gjika, specialisti i kësaj drejtorie, Kreshnik Mino dhe 51-vjeçari Spiro Duni. Ndaj tyre rëndon akuza e falsifikimit të dokumenteve në dosjet e pronave të fshatit turistik të Dhërmit.
Pas falsifikimeve të bëra dhe frikës nga drejtësia, në bashkëpunim me njëri tjetrin ata inskenuan një grabitje në zyrat e “Tokave” të Dhërmiut në zyrat e Këshillit të Qarkut të Vlorës.