Prej sot fillon ngrohja qendrore për shkupjanët
Duke filluar prej sot (7 tetor), në Shkup fillon dërgesa e energjisë termike deri te konsumatorët e lidhur në sistemet e ngrohjes qendrore, që kryhet sipas rregullave të përcaktuara, varësisht prej kushteve atmosferike dhe temperaturave të jashtme.
Këto rregulla janë përcaktuar në rregulloren për dërgesën e energjisë termike deri te konsumatorët, të miratuar nga Komisioni Rregullator i Energjetikës dhe i Shërbimeve të Ujit i Republikës së Maqedonisë së Veriut – KRRE.
Sipas rregullores, nëse temperaturat e jashtme janë më të ulëta, dërgohet sasi më e madhe e energjisë termike dhe anasjelltas, kështu që përdoruesit kanë komoditet të siguruar dhe shtëpi të ngrohura në përputhje me standardet, gjegjësisht temperatura në shtëpitë e tyre do të jetë jo më e ulët se 20 +1 gradë Celzius. Njëkohësisht, me këto rregulla të dërgesës mundësohet konsum optimal i energjisë termike dhe shpenzime minimale për ngrohje të konsumatorëve.
Gjatë kushteve të ndryshme atmosferike kur është mot i nxehtë dhe nuk nevojitet asnjë lloj ngrohjeje, ndërpritet dërgesa e energjisë termike në periudhat e temperaturave të larta të jashtme, ndërkaq menjëherë pas uljes së temperaturave të jashtme nën vlera të përcaktuara, ngrohja prapë do të lëshohet.
Përndryshe, këtë vit sezoni i ngrohjes fillon para fillimit zyrtar të sezonit të ngrohjes – 15 tetor, për shkak se temperatura ditore mesatare për ditën e ardhshme është më e ulët se 12 gradë, rrjedhimisht KRRE-ja dha pëlqimin për dërgesën e energjisë termike për të mundësuar komoditetin e nevojshëm për konsumatorët.