Renovohet poliklinika në "Lagjen e Trimave" në Kumanovë
Për vite të tëra e lënë pas dore dhe në mëshirë të fatit, madje e shndërruar në një deponi të egër, më në fund me mjete nga buxheti i saj, Shtëpia e Shëndetit në Kumanovë, nisi rikonstruimin e përgjithshëm të ndërtesës së Poliklinikës “Tode Mendoll”, në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë.
“Këtu nuk është investuar pothuajse që nga ndërtimi i objektit, kemi dashur të fillojmë me rikonstruimin brenda objektit, mirëpo është e pamundur pasi që çatia e ndërtesës është tërësisht i rrënuar dhe rrjedh uji nga reshjet e shiut në gjitha hapësirat brenda, tani do të ndërrohet i gjithë kulmi, pastaj do të vazhdojmë me hapësirat brenda objektit, pra do t’i nënshtrohet i tërë objekti një rikonstruimi total”, tha drejtori i ISHP “Shtëpia E Shëndetit”–Kumanovë, Faruk Alili.
Pasi të kryhet rikonstruimi kjo poliklinikë do të shërbejë si qendër vaksinimi.
“Planifikojmë që pas kryerjes së punimeve rreth rikonstruimit, këtë ambulantë ta shndërrojmë në një qendër vaksinimi që ta përfshijë tërë rajonin e Kumanovës, pra qendër vaksinimi për fëmijë, para shkollor dhe shkollor”,- theksoi Alili.
punimet rreth rikonstruimit të ndërtesës kapin vlerën rreth 2 milion denarë, mjete këto të siguruara nga buxheti i Shtëpisë së Shëndetit të Kumanovës. Rikonstruimi pritet të përfundojë deri në fund të këtij viti.