Shëngjin, ndërhyrje për shmangien e rënies së gurëve në rrugë
Në segmentin Lezhë-Shëngjin ka nisur ndërhyrja për eleminimin e një frike të vazhdueshme, rrëshqitjen e gurëve në rrugë.
Mjete të rënda janë vendosur përgjatë Knallës, vendi me rrezikshmërinë më të lartë për rrëshqitjen e gurëve, duke nisur në këtë mënyrë ndërhyrjen tashmë që sezoni turistik mund të konsiderohet i mbyllur.
Ndërhyrja i paraprin rikonstruksionit të plotë të segmentit Lezhë – Shëngjin.
Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Policia Rrugore janë vendosur në hyrje të segmentit që përshkon Knallën për të orientuar devijimin e trafikut drejt Kunes.
Që prej ditës së hënë ka nisur instalimi e barrierave mbrojtëse që pengojnë rënien e gurëve. Ndërhyrja po kryhet në një zonë ku vazhdimisht ka patur probleme të tilla, nga firma e mirëmbajtjes së rrugës.
Segmenti rrugor prej rreth 500 metrash në afërsi të Knallës përgjatë aksit Lezhë – Shëngjin ka qenë vazhdimisht i rrezikuar nga rënia e gurëve, duke krijuar frikë tek drejtuesit e mjeteve që lëviznin në këtë aks rrugor.