Trajnimi ndihmoi Shpresën nga Fieri të përmirësojë mbarështimin e blegtorisë

Postuar: 14:57 / 06.04.2023

“Njohuritë e fituara nga trajnimi në Bujqësi, kam mundur t’i aplikoj menjëherë në fermën time. Trajnimi për problemet e ndryshme shëndetësore të kafshëve ashtu dhe për të rritur cilësinë e qumështit të prodhuar nga ferma, më kanë ndihmuar të përmirësoj mbarështimin e blegtorisë dhe prodhimin”. Kështu shprehet Shpresa Zotaj, një fermere nga fshati Povelçë i bashkisë Fier, e cila ka marrë pjesë në një prej trajnimeve mbi shëndetin e bagëtive.

Trajnimi u fokusua në dy çështje të rëndësishme, siç janë sëmundjet tek bagëtitë dhe higjiena e qumështit nëpërmjet mjeljes me makineri mjelëse, në mënyrë që të garantohen produkte të cilësisë së lartë, sipas standardeve të BE.

Në fund të trajnimit të gjithë pjesëmarrësve iu dhuruan bidona qumështi prej inoksi, të cilët ruajnë temperaturën dhe higjienën e qumështit gjatë transportit.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në bashkëpunim me GIZ po ndjek praktikat më të mira të trajnimit të fermerëve, përmes Skemës së Trajnimeve, duke ndihmuar fermerët të orientohen dhe zbatojnë praktikat më të mira në shërbim të zhvillimit të biznesit të tyre bujqësor e blegtoral.

Masa mbështetje për Trajnimin e fermerëve falas, në kuadër të Skemës Kombëtare 2023 ka çelur thirrjen nga data 5-15 prill, për fermerët që të përfshihen në trajnimet e ekspertëve më të mirë të fushës, si një mundësi për krijimin e fermave model me standarde nga më të mirat. /ATSH/