Kryetari i Shtërpcës sot para gjyqit

ShtërpcëPostuar: 11:53 / 29.12.2015

Kryetari i Komunës së Shtërpcës do të paraqitet sot para Gjykatës Themelore në Ferizaj. Ai, akuzohet për shpërdorim të detyrës zyrtare.

Së bashku me Nikoliqin, në këtë rast akuzohet edhe zyrtari i prokurimit të kësaj Komune, Agim Rexhepi.

Prokuroria i akuzon Nikoliqin e Rexhepin se më datë 16 dhjetor në Shtërpcë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, dhe personi tjetër në cilësinë e personave zyrtarë dhe atë duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik të Kosovës, nuk kanë përmbushur detyrat e tyre zyrtare në atë mënyrë që kanë lidhur aneks-kontratë në vlerë prej 346 mijë euro me operatorin ekonomik “Albes”, duke tejkaluar kështu 10 % e vlerës së kontratës bazë prej një milion e gjysmë euro për ndërtimin e tri ndërtesave në Shtërpce, me të cilin kanë dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës, dhe kështu kanë kryer veprën penale në bashkë-kryerje, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar të sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Seanca gjyqësore për Nikoliqin dhe Rexhepin do të mbahet sot në ora 13:00 në sallën nr.II, në Gjykatën Themelore të Ferizajt.

“Vazhdon seanca gjyqësore me komunikimin e aktgjykimit ndaj te pandehurit Bratisllav Nikoliq dhe Agim Rexhepi, për veprën penale te kryer ne bashkëkryerje keqpërdorimi i pozitës apo i autoritetit zyrtar nga neni 422 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.2 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal te Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Ferizajt.

/indeksonline