Maji po vjen, por jo edhe milionat për "Brezovicën"
Data 31 maji është dita e fundit e afatit, kur kompanisë franceze, konsorciumit MDP Consulting Compagnie des Alpes do ti skadojë afati i pagesës së parave për privatizimin e kompleksit turistik Brezovica, që shtrihet në Komunën e Shtërpcës.
Burime nga MTI-ja kanë njoftuar se kompania franceze deri më tash nuk i ka siguruar paratë, që të realizojnë pagesën, prandaj projekti në fjalë edhe mund të dështojë.
Ndërkaq, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, mësohet se kompania fituese e këtij projekti, konsorciumi francez MDP Consulting Compagnie des Alpes ende nuk ka dhënë ndonjë informatë për përgatitjet që mund ti ketë bërë gjatë kësaj kohe.
Në muajin dhjetor të vitit 2014 konsorciumi francez MDP Consulting Compagnie des Alpes ishte shpallur fitues, me një çmim prej 409 milionë euro.
Sipas kontratës së nënshkruar më datën 14 prill 2015, Qeveria e Kosovës dhe kompania fituese kishin rënë dakord për një periudhë transitore prej 180 ditëve, për të përmbushur të gjitha obligimet kontraktuale.
Obligimet që do të duhej ti përmbushte konsorciumi fitues ishin: dorëzimi i master-planit për qendrën e re, projekti për ndikimin mjedisor dhe projekti për ndikimin ekonomik, që do të ketë në Komunën e Shtërpcës.
Pas këtyre procedurave ishte paraparë të fillonte zbatimi i projektit, por që gjithçka kishte dështuar, për shkak se kompania nuk ishte përgatitur, ku edhe kishte pasuar afati shtesë me kërkesë të kompanisë fituese.
MTI-ja nuk paralajmëron afat të ri.
Lidhur me çështjen zëdhënësja Vjollca Dibra, këshilltare për medie dhe komunikim në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ka sqaruar se në dhjetorin e vitit të kaluar Qeveria e Kosovës kishte marrë një vendim për një shtyrje të afatit, me kërkesë të kompanisë dhe ky afat është 31 maji i këtij viti.
Ne presim nga kompania që është investitor të lajmërojë si po shkojnë punët. Deri më tani nuk kemi ndonjë informatë nga kompania se si janë duke shkuar përgatitjet, thotë ajo.
Sipas Dibrës, ky do të jetë afati i fundit i zgjatur dhe nuk do të ketë afat shtesë tjetër.
Besoj se do të jetë afati i fundit, ka edhe një garancion bankar në kontratë, që kompania duhet të përmbushë në rast të mospërmbushjes së kontratës, theksoi ajo.
Ky është afati i fundit, në rast dështimi kompania mandej duhet të vendosë diçka tjetër në lidhje me Brezovicën. Megjithatë ne shpresojmë se kjo të realizohet, shton Dibra.
Për dallim nga pushtetarët aktualë dhe drejtuesit e MTI-së, në anën tjetër janë përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, që po kërkojnë nga autoritetet e vendit që të jenë më të vëmendshëm karshi realizmit të këtij projekti.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, ka thënë se mbetet optimist që kompania fituese për realizimin e projektit zhvillimor Brezovica do të arrijë të përgatitet deri në afatin e caktuar kohë. /Kosova Sot/