Pezullohet ndërtimi i vilave në “vikend zonën” e Brezovicës
Me urdhër të kryeshefit në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Ilir Morina, inspektorët kanë dalë në vendin e ngjarjes, teksa punimet janë ndërprerë derisa të vërtetohet nëse dikush prej ndërtuesve është pajisur me leje ndërtimore nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor apo nga Komuna e Shtërpcës.
Sipas Morinës, këto ndërtime po bëhen në pjesën e “vikend zonës” e cila ka marrë pamjen e një fshati.
“Pasi kemi marrë informacionet i kemi dërguar inspektorët në terren dhe i kemi ndërprerë punimet. Ndërkohë ka mbetur të vërtetohet nëse ndërtuesi ka marrë leje në MMPH apo në Komunën e Shtërpcës. Nëse gjatë ditës së sotme nuk i sjellin lejet, atëherë inspektorët do të nisin procedurat tjera ligjore ndaj tyre”, ka thënë Morina.