Rrëshqitja e Brezovicës drejt dështimit

ShtërpcëPostuar: 11:23 / 26.01.2016

Projekti i koncesionimit ka nisur të rrëshqasë drejt dështimit pas më shumë se katër vite pas nisjes. Ndonëse i promovuar shumë nga liderët qeveritarë si projekt i madh koncesionimi, përgjatë katër viteve, më shumë pati ngecje se ecje drejt suksesit.

Hykmete Bajrami, ministre për Tregti e Industri, deklaroi mbrëmë në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, se ende beson se projekti do të gjejë rrugën e suksesit. Ajo për dështimin e mundshëm fajësoi edhe veprimet e opozitës së bashkuar.

“Investitorët të cilët kanë parë njerëz dhe policë duke u djegur dhe gjithçka tjetër sigurisht që nëse kanë qenë në rrugë për të ardhur dhe për të investuar në Kosovë do të bëjnë sigurisht edhe një kontroll të dytë se cila është situata politike dhe ekonomike. Ju e dini që jemi sulmuar. Kemi pasur thyerje të xhamave të të gjitha veturave”, deklaroi Bajrami.
Me konstatimin e ministres Bajrami nuk u pajtua Besnik Bislimi, deputet nga radhët e Vetëvendosjes. Ai tha se pushtetarët do të përpiqen që gazin lotsjellës ta përdorin si alibi edhe për dështime tjera.
Ai, po ashtu tha se pushtetarët e kanë promovuar si sukses koncesionimin e Brezovicës sepse i janë dashur për çështje elektorale.

“Është paraqitur si një prej sukseseve më të mëdha të Qeverisë, si projekti më i madh i pas luftës. Në fillim kanë thënë se do të hapen katër mije vende pune dhe se projekti do ta përmirësojë imazhin e vendit. Madje kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, pati thënë se kemi me pas shtigje të skijimit të kualitetit botëror. Unë veç pata filluar me i pa yjet e skijimit duke skijuar në Kosovë. Me aq pompozitet është reklamuar edhe pse qysh prej startit ekspertët kishin tërhequr vëmendjen se projekti po shkon drejt dështimit”, deklaroi Bislimi.
Vërejtje në procesin e koncesionimit të Brezovicës përmenden edhe dy gazetarët e ekonomisë Liridon Llapashtica nga Zëri dhe Visar Prebreza nga Koha Ditore.

Prebreza theksoi mbrëmë në emisionin “Ekonomia me Erëzën”, se projekti është përcjellë me mungesë transparence dhe parregullsi tjera.

Ndërsa Llapashtica deklaroi se Qeveria e Kosovës përveç mungesës së transparencës morri vendim të gabuar kur nënshkroi kontratën për Brezovicën me një kompani me profil të dyshimtë.

/koha.net/