Shtërpca bëhet me Qendër Informuese për Shëndetin e Gruas
Kjo Qendër sjell gratë nga etnicitetet e ndryshme në një dhomë të përbashkët ku ndajnë eksperiencën e njejtë e të bërit nënë.
Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushqyeshmërinë gjatë shtatzënisë, fazat e shtatzënisë, përgatitja fizike dhe psiqike për lindje, kujdesi ndaj të posalindurit dhe gjidhënia.
Në ceremoninë e hapjes drejtori i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Shtërpcës, Sabri Murseli theksoi se ekzistimi i qendrave të tilla edukative është i domosdoshëm për institucionet tona drejt edukimit të grave dhe partnerëve të tyre për shtatzëninë dhe lindjen.
Gëzim Kokollari, nga Ministria e Shëndetësisë, tregoi për mirëpritjen e një inciative të tillë dhe rëndësinë e ofrimit të këshillave edukative që përmirësojnë shëndetin e nënës dhe fëmijës, sidomos marrë parasysh që shëndeti i nënës dhe fëmijës është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë, transmeton Klan Kosova.
Albiona Beha, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, falenderoi mamitë e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Drajkovc të cilat do të jenë përgjegjëse për ofrimin e ligjëratave dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të Qendrës.
Ajo theksoi se hapja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Drajkovc-Shtërpcë shënon njëherit edhe pikën 4 të lokacionit të këtij programi. Deri më tash, rreth 2,500 gra kanë përfituar nga përkrahja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Vitin e kaluar, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë themeloi 3 Qendra në Prishtinë e Ferizaj.
Hapja e Qendrës Informuese në Shtërpcë përkrahet nga UNMIK-zyra në Kosovë dhe zgjerimi i aktiviteteve të këtij programi mundësohet falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.
Programi i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Solidar Suisse Kosova.