Apel nga Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim në Shtime
Postimi i plotë:
Të nderuar qytetarë, sezoni i verës po karakterizohet me temperatura ekstreme të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura fushore, malore, fushata e korrje-shirjes, pikniket në ambiente malore, organizimet rinore etj.
Nisur nga fakti se tanimë është bërë trend që pas korrje-shirjeve të grurit, fermerët apo qytetarët nga mosdija për efektet negative që bartë ky veprim e shpesh edhe nga pakujdesia i djegin hamulloret.
Mirëpo përveçse ky është një vendim i gabuar e i paligjshëm që do i kushtojë rëndë kujtdo, që përmes papërgjegjshmërisë apo qëllimit të keq vë në rrezik të tjerët dhe dëmton pronën publike dhe private, nga të gjitha pikëpamjet, sepse djegja e tokës sjell më shumë dëme sesa të mira.
Një dëm tjetër potencial është pamundësia e kontrollimit të këtyre zjarreve dhe mundësia që shtrirja e tyre të rrezikoj pasurinë e të tjerëve, si objekte ekonomike, objekte banimi e veçanërisht djegia e pyjeve. Lirimi i gazërave dhe temperaturat e larta nga djegia e hamulloreve paraqesin kërcënim për mjedisin. Me këtë veprim shkatërrohet një sasi e madhe e kashtës e cila do të mund të lavrohej dhe futet në tokë duke plehëruar dhe përmirësuar strukturën dhe pjellshmërinë e tokës.
Përveç kësaj djegia e hamulloreve ndikon në ndotjen e ajrit dhe shkatërron biodiverzitetin si dhe nuk ka asnjë efekt pozitiv, por bart efekte tejet negative.
ME QËLLIM TË EVITIMIT TË RREZIKUT NGA ZJARRI, MBROJTJES SË JETËS SË QYTETARËVE, PRONËS DHE AMBINETIT A P E L O J M Ë:
Të gjithë qytetarët që të jenë të kujdesshëm dhe vigjilent në shmangien e të gjithë shkaktarëve të mundshëm të zjarrit, si dhe të bëjnë lajmërimin dhe njoftimin me kohë dhe njëherit të ndihmojnë në shuarjen e zjarreve. Gjithashtu apelojmë edhe tek fermerët në përgjithësi që të përmbahen nga ky veprim i cili ka pasoja të dëmshme për ju, por dhe për mjedisin. Të nderuar qytetar, Informimin mund ta bëni në:
Qendrën Operative Emergjente të Kosovës, përmes numrit të integruar emergjent - 112 (Në këtë numër emergjent-112 mund të kontaktoni pa prefiks nga cila do pjesë e Komunës tonë) dhe (thirrjet janë pa pagesë).
Ndërkaq, Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim ka këtë numër të telefonit: 0290-390-092.
Njësia Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (NJPZSH) në Shtime është vënë në gjendje gatishmërie duke ngritur nivelin e gatishmërisë reaguese në nivel më të lartë, për të menaxhuar dhe përballuar sa më mirë emergjencat gjatë sezonit të verës. Mbrojtja e pronës është detyrë ligjore dhe morale e gjithsecilit prej nesh si qytetarë të Shtimes dhe sigurisht edhe përgjegjësi e institucioneve dhe strukturave përgjegjëse lokale.
Vërejtje: Zjarrvëniet e qëllimshme si dhe ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepër penale dhe sanksionohen me ligj.