Komuna e Shtimes nënshkruan marrëveshjen “Fuqizimi i Grave të Burgosura përmes Artit dhe Ndërgjegjësimit”
Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, priti në zyrën e tij përfaqësuesen e kësaj organizate, Teuta Fetiun, ku e falënderoi për këtë mundësi, që gratë dhe vajzat që aktualisht janë në shërbimin korrektues, përmes këtij projekti të inkurajohen për tregun e punës dhe të riintegrohen në shoqëri.
Projekti në fjalë, i cili financohet nga organizata “Help” dhe zbatohet nga OPEA “Bardha”, është përshtatur për gratë dhe vajzat nga mosha 18 deri 60 vjeç, aktualisht në shërbimin korrektues të Kosovës.
Ndërsa, Kastriot Shabani, drejtor i Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik, tha se ky projekt është më se i mirëseardhur për këtë kategori, pasi që do t’i fuqizonte femrat, pas daljes nga shërbimi korrektues.
Ndërsa si objektiv i këtij projekti sipas Teuta Fetiut, përfaqësuese e OPEA “Bardha”, është të rrisin ndërgjegjësimin e këtyre grave për statusin e tyre socio-ekonomik. “Përpjekjet tona janë të dedikuara për të inkurajuar të burgosurat për të marrë pjesë në tregun e punës, duke nxitur kështu mundësitë për riintegrimin e tyre në shoqëri duke kontribuar në mirëqenien e tyre të përgjithshme”, tha Fetiu.