Komuna e Shtimes përfituese e Grantit të Performancës nga MAPL dhe DEMOS
Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes gjatë takimit që pati me përfaqësues nga MAPL-ja dhe DEMOS-i, tha se kjo është një mundësi ideale që komunat të përfitojnë fonde për financimin e projekteve të tyre, por edhe mundësi e mirë që përmes një gare fer, transparente dhe të paanshme të dëshmojnë përkushtimin e tyre ndaj qytetarëve.
“Me gjitha sfidat që kishim gjatë vitit 2022, ne i’a dolëm që të kishim rezultate dhe na bëri të kuptojmë që në vitet e ardhshme gjithmonë do të jemi rrugës së mbarë. Përveç pjesës materiale, lajm i mirë është që ne kualifikohemi si qeverisje e drejtë”, tha Aliu.
Haxhi Krasniqi, u.d. i shefit të Divizionit në MAPL, tha se që kur është hapur sistemi për raportim, të gjitha komunat kanë filluar të raportojnë aty. “Komuna e Shtimes, ka vendosur të dhëna dhe ka raportuar shumë mirë dhe rezultatet nuk munguan”, tha Krasniqi, duke shtuar se pas verifikimit të të dhënave në sistem dhe verifikimit të tyre në terren është konstatuar se të gjitha ishin në rregull dhe komisioni ka finalizuar raportin.
Saranda Husaj Baraliu nga DEMOS-i, bëri të ditur se këtë vit janë përfituese vetëm 11 komuna, e ndër to edhe Komuna e Shtimes. “Komuna e Shtimes këtë vit qëndron mjaft mirë sa i përket performancës komunale dhe është me performancë mbimesatare”, tha Husaj Baraliu.
Edhe Mejdi Retkoceri nga MAPL, bëri të ditur për procedurat dhe kriteret që duhet ndjekur sa i përket fitimit të granit të performancës. “Në momentin kur e jepni iden për projektin ideor dhe e shkruani emrin e projektit, mos të bëni ndryshim të emrit të projektit për arsye se mund të na sjell probleme në pagesë”, tha Retkoceri.
Shpend Emini, zëvendësmenagjer i projektit DEMOS-i, inkurajoi komunat vazhdimisht të punojnë në mënyrë që performanca e tyre të jetë gjithmonë në rritje dhe se do të jetë gjithmonë në krah të komunave, duke ofruar mbështetjen e tyre të parezervë për ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe përmirësimin e kushteve të jetesës përmes këtyre granteve.
MAPL së bashku me DEMOS-in, përmes kësaj skeme ka krijuar një garë në mes të komunave në të cilën fituese është edhe Komuna e Shtimes, e cila përmbushi të gjitha kriteret dhe arriti që të jetë fituese e këtij granti.
Përmes grantit të fituar komuna do të investojë në infrastrukturë dhe shërbime thelbësore për qytetarët.