Kryetari Aliu bëri homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut
Lidhur me këtë, kryetari Aliu ka shkruar:
“Në praninë e sërishme të mikut të respektuar të popullit tonë, Ambasadorit William Walker dhe të prirë nga krerët institucionalë, Presidentja Osmani, Kryeministri Kurti dhe Kryeparlamentari Konjufca, bashkë me familjarët e viktimave dhe dëshmorëve të Masakrës së Reçakut si dhe me qindra bashkëqytetarë, në këtë 25-vjetor të Masakrës së Reçakut vumë kurora lulesh të freskëta dhe bëmë homazhe në Kompleksin Memorial të Reçakut.
Nderimi i viktimave të ngjarjes makabre të një çerekshekulli më parë është obligim yni institucional, qytetar, shoqëror e moral, ashtu që nderimi e kujtimi për të flijuarit e 15 janarit të para 25 viteve, të mbetet i freskët e i përjetshëm.
Reçaku është domosdoshmëria që thërret e kërkon drejtësi ende sot e kësaj dite, për ekzekutorët e urdhërdhënësit e ngjarjes ndër më mizoret në kontinentin evropian që prej përfundimit të Luftës II Botërore.
Lavdi viktimave e dëshmorëve të Reçakut dhe i përhershëm do të jetë kujtimi e nderimi për ta!”