Kryetari Aliu ndan detaje nga takimet e fundit gjatë vizitës zyrtare në Gjermani
Postimi i plotë i kryetarit Aliu:
Një vit pasi u patëm takuar me Kryetarin e Komunës Schwertes, z. Dimitros Axourgos i lindur në Janinë, ishte kënaqësi që e takova përsëri ku më mirëpriti në zyrën e tij.
Ky takim rezultoi me dakordime konkrete, ku përpos fushës së arsimit dhe sportit ku do të përfitojnë nxënësit e sportistët e Shtimes, do të fillojmë shkëmbimin e punëtorëve të administratës, që do të bartin përvojën, aftësinë dhe efikasitetin e tyre.
Po ashtu, në këtë vizitë e pata privilegjin që të nënshkruhem në librin e artë të Komunës Schwertes, që do të jetë një gjurmë simbolike e fillesave tona të bashkëpunimit reciprok mes institucioneve tona.
Nga postimi i fundit kryetari Aliu, ka njoftuar se kjo vizitë po merr fund, ku ndër të tjera ka shkruar: “Vizita zyrtare në Gjermani që po merr fund, në fakt është hapi fillestar për shumë projekte e përfitime që do t'i gëzojë Komuna e Shtimes dhe qytetarët tanë, që do të lindin nga bashkëpunimi i arritur gjatë këtyre ditëve me aleatët tanë gjermanë.
Përpos kamionit 26 tonësh për mbledhjen e mbeturinave, në takimin me deputetin aktual të SPD-së dhe ish-ministrin e Nordrhein-Westfalisë, Hartmut Ganzke, MdL, ish-deputetin e të njëjtit subjekt, Falk Heinrichs dhe anëtarin e asamblesë të Fröndenbergut të Ruhrit, Arbër Aliun, më premtuan edhe një automjet modern të zjarrfikjes, që do t'i shtojë kapacitetet dhe gatishmërinë për fikjen e zjarrit eventual në Komunën tonë.
Në përputhje me bindjet dhe vlerat e përbashkëta që i afirmojmë e për të cilat angazhohemi, me kënaqësi u bëra anëtari më i ri i SPD-së, me të cilën Lëvizja VETËVENDOSJE! është pjesë në Internacionalen Socialiste dhe që punojmë për një politikë progresive e më të drejtë për shtresat shoqërore.
Gjermania është vend yni mik e partner që me kontributin e saj po na ndihmon të avancojmë në shtetndërtim, ashtu siç u dëshmua edhe nga mikpritja dhe mbështetja që na u ofrua nga kjo vizitë, punët e mira të të cilës do të jenë domethënëse për Komunën e Shtimes dhe qytetarët tanë.”