Mbahet debati publik për Draft-Dokumentin Strategjik për Ujërat në Komunën e Shtimes
Për Draft-Strategjinë për Ujërat në Komunën e Shtimes 2024-2027, u bë e ditur se do të shërbejë si udhërrëfyes për autoritetet lokale në katër fokuse: Mbrojtja e ujërave, investimet publike në përmirësimin e infrastrukturës në ujëra, përdorimi efikas i burimeve të ujit si dhe vetëdijesimi në mbrojtjen e ujërave.
Faruk Beqa, nënkryetar i Komunës së Shtimes, bëri të ditur se edhe në Komunën e Shtimes kanë problemin e ndotjes së ujërave. Përparësia e të paturit lumë, sipas Beqës ka edhe sfidat e saja. “Në rastin e lumit në komunën tonë, në gjendjen që është ai sot, ndotjen që ka dhe rrezikun për vërshime, shpeshherë na paraqet rrezik. Andaj, si nevojë ka lindur që të kemi një program strategjik”, ka thënë Beqa, duke bërë të ditur se ky draft-program tashmë i është dorëzuar edhe asamblesë komunale.
Ndërsa, Besnik Muçaj, menaxher i programit në Institutin KLGI, tha se Komuna e Shtimes është komuna e parë që harton program të veçantë për mbrojtjen e ujërave nga veprimet e dëmshme. “Nga analizat që kemi parë, asnjëra nga komunat nuk ka hartuar edhe pse udhëzimi administrativ i obligon ato që të hartojnë këto dokumente”, tha Muçaj, duke shtuar se vizioni i kësaj strategjie është për më shumë siguri publike, duke parandaluar rreziqet nga vërshimet, e për më tepër është potencial për zhvillimin e mirëqenies duke u kujdesur për ujërat.
Nga ana tjetër, Beqaj bëri të ditur se Komuna e Shtimes është e përkushtuar të kujdeset për ujërat në territorin e saj, duke forcuar partneritetin me komunitetin lokal dhe bashkëpunimin me të gjitha autoritetet për menaxhim të ujërave.
Edhe qytetarët e pranishëm në këtë debat paraqitën kërkesat e tyre sa i takon këtij draf-dokumenti strategjik.