Mbahet Debati Publik për Draft-Rregulloren për orarin e punës së bizneseve në Komunën e Shtimes
Bardhyl Rushiti, drejtori i Drejtorisë për Shërbime Publike, bëri të ditur se me këtë rregullore përcaktohet fillimi dhe mbarimi i orarit të punës për bizneset që operojnë në territorin e Komunës së Shtimes.
Ndërsa, Adnan Ademi, kryesues i Kuvendit të Komunës së Shtimes bëri të ditur se kjo rregullore do t’a rregullojë shumë mirë orarin e bizneseve, që dita e diel me kërkesë të bizneseve të jetë ditë pushimi. “Uroj që kjo rregullore të jetë në të mirën e juaj si biznese. Diskutoni në këtë debat, para se kjo rregullore të votohet në kuvend dhe të mos ketë diçka që ndoshta cenon të drejtat tuaja si biznese. Ne jemi që t’u ndihmojmë juve, e jo për t’ia cenuar të drejtat. Shpresojmë që rregullorja do të dalë në mënyrën më të mirë të mundur”, tha Ademi.
Albulenë Emini, inspektore e Tregut, tha se kjo rregullore është shumë e rëndësishme për bizneset, pasi që përmes kësaj rregullore parashihet që edhe dita e diel të jetë ditë pushimi. “Ju si biznese keni sjellur kërkesë në inspektorat, dhe keni kërkuar që sikur komunat e tjera edhe në komunën tonë, dita e diel të jetë ditë pushimi. Keni kërkuar që të njëjtën gjë t’a bëjmë edhe ne”, tha Emini, duke shtuar se në këtë rast është bërë një punë shumë e mirë nga komisioni dhe ky diskutim publik që është bërë sot, do t’u ndihmojë shumë që t’i harmonizojnë të mirat apo të këqijat në këtë rregullore.
Sipas kësaj rregullore, orari i punës nënkupton periudhën kohore-fillimin dhe mbarimin e punës dhe orari për fillimin dhe mbarimin e punës, i përcaktuar me këtë rregullore, duhet të vendoset në hyrje apo në vend të dukshëm të objektit në të cilën kryhet veprimtaria e biznesit.
Rregullorja në fjalë, pritet të hyn në fuqi 15 ditë pas regjistrimit në Zyrën e Protokollit të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal si dhe 7 ditë pas publikimit në ueb-faqen zyrtare të Komunës dhe në Gazetën Zyrtare, përkatësisht konform nenit 81 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale Nr.03/L-040 dhe nenit 9 paragrafi 8 të Rregullores (QRK) Nr.10/2019 për shqyrtimin administrativ të akteve të komunave, me plotësim ndryshimet e bërë me Rregulloren Nr.06/2021.
Drejtori Rushiti, kërkoi nga qytetarët në sallë që gjatë këtij debati t’i paraqesin kërkesat e tyre për çfarëdo çështje, në mënyrë që rregullorja të jetë sa më gjithëpërfshirëse. Nga ana tjetër, edhe qytetarët paraqitën kërkesat e tyre sa i përket këtij draft-dokumenti.