Mbahet dëgjimi publik për Draft-Planin buxhetor 2024-2026 në Komunën e Shtimes
Në këtë dëgjim merrnin pjesë, kryetari i Komunës Qemajl Aliu, nënkryetari Faruk Beqa, kryesuesi i Kuvendit, Adnan Ademi, drejtorët e drejtorive komunale dhe qytetarë të komunës sonë.
Këtë dëgjim publik e ka hapur kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, i cili fillimisht ka përshëndetur të pranishmit dhe ka falënderuar për bashkëpunimin e treguar në hartimin e draft-buxhetit komunal, njëherit ka sqaruar rëndësinë që ka buxheti i Komunës për qytetarët tanë.
Për Draft-Planin Buxhetor Komunal për periudhën 2024-2026, ka elaboruar në pika të shkurta, u.d. Zyrtari Kryesor Financiar Bujar Ferati, kurse rreth projekteve kapitale ka folur, drejtori për Urbanizëm, Kadastër dhe Gjeodezi, Grejtalb Emini.
Ndërkaq, qytetarët e pranishëm gjatë debatit për projeksionet buxhetore për vitet 2024-2026, kanë paraqitur kërkesat e tyre për investime kapitale në infrastrukturë, ku kryesisht kërkesat ishin të fokusuara në projekte që kanë të bëjnë me rregullimin e infrastrukturës: Kanalizim, asfaltim të rrugëve në lagje, ndërtim të trotuareve, ndriçim, ujësjellës dhe projekte të tjera.
Buxheti i përgjithshëm i Komunës për vitin 2024 është 9,928,106 euro, ndërsa nga kjo shumë nga aspekti ekonomik i shpenzimeve do të këtë 5 kategori kryesore të shpenzimeve. Nëse e bëjmë një krahasim me vitin aktual, buxheti për vitin 2024 do të këtë një rritje prej 1,172.066 euro.
Kurse, për nesër është planifikuar një dëgjim publik i përgjithshëm me qytetarë që organizohet në ora 18:00 në Kuvendin e Komunës nga Komiteti për Politikë dhe Financa së bashku me Zyrën për Informim.