Mbahet takim me temën “Gjinia, paqja dhe siguria” në Komunën e Shtimes
Sipas statistikave nga policia dhe QPS në Shtime, që nga fillimi i vitit 2023, deri më tani janë raportuar 28 raste të dhunës në familje. Nga ky numër, 26 prej tyre janë të gjinisë femërore ndërsa 2 të gjinisë mashkullore.
Faruk Beqa, nënkryetar i Komunës së Shtimes, tha se si komunë kanë themeluar mekanizmin koordinues kundër dhunës në familje ku janë përfshirë të gjitha institucionet adekuate. “Kemi hartuar Strategjinë kundër dhunës në familje dhe njëkohësisht edhe Planin e Veprimit”, tha Beqaj.
Haxhi Behluli, komandant i Stacionit Policor në Shtime, tha se edhe në komunën e Shtimes, gjinia femërore është më e prekur nga dhuna në familje dhe se në vazhdimësi janë duke i ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme në parandalimin e kësaj dukurie. “Këtyre ditëve, në stacionin tonë do të hapet edhe “Dhoma mike”, në të cilën do të mund të akomodohen viktimat e dhunës në familje”, tha Behluli.
Gjatë këtij takimi u tha se, ndër shkaqet më të shpeshta që manifestojnë në ushtrimin e dhunës në familje janë: Kushtet ekonomike, shëndeti mendor, substancat narkotike, alkooli etj.
Dhuna ndaj grave dhe vajzave mbetet një nga shkeljet më të përhapura të të drejtave të njeriut në botë.
Sipas, Sevdije Kosumit-Bunjakut nga Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve, “Shtëpia ime”, në Ferizaj numri i strehimoreve në Kosovë deri më tani është tetë. “Këto strehimore specifikisht punojnë vetëm për viktimat e dhunës në familje. Strehimorja në Ferizaj përballet me shumë sfida, njëra ndër to është edhe mungesa e lokacionit, por ditëve të fundit nga komuna kemi marr lokacion dhe pritet zgjidhja e këtij problemi”, tha Kosumi-Bunjaku, duke shtuar se raste të dhunës në familje ka mjaft.
Agim Kuka, prokuror në Prokurorinë Themelore në Ferizaj, tha se si prokurori janë gjithmonë të gatshëm të afrojnë mbështetjen e duhur për këto kategori. ”Fatkeqësisht kodi ynë penal ka paraparë masa drastike, për një lidhje jashtë-martesore me personin nën moshën 16 vjeçare, dënimi është 5 deri 20 vjet, është dënim ekstrem’, tha Kuka duke shtuar se për këtë vepër, përveç viktimave mund të dënohen edhe prindërit e tyre, e që sipas Kukës në këtë rast mund të viktimizohet viktima për së dyti, por është mirë që të kemi fushata vetëdijesuese sa më shumë, si nëpër shkolla por edhe vende tjera.
Ky aktivitet përkrahet nga programi i Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), “EJA Kosovë”, bashkëfinancuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), Suedia dhe Qeveria e Dukatit të Madh të Luksemburgut.