Për herë të parë Komuna e Shtimes mbështetë familjet strehuese me nga 100 euro çdo muaj

ShtimePostuar: 11:41 / 05.07.2024

Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes me këtë rast tha se, kjo ishte jo vetëm obligim institucional e etik, por njëkohësisht edhe dëshirë e tij që përmes qeverisjes t'i ndihmojnë më shumë këto familje.

“Jam shumë i kënaqur që dje ka kaluar propozim vendimi në Kuvendin Komunal, ku familjet strehuese të Komunës sonë do t'i mbështesim me nga 100 euro për çdo muaj. Ka qenë jo vetëm obligim institucional e etik, por njëkohësisht edhe dëshirë e imja që përmes qeverisjes t'i ndihmojmë më shumë pikërisht këto familje fisnike dhe humane të cilat strehojnë fëmijë pa përkujdesje prindërore.

Andaj, jemi përpjekur fuqishëm që t'i krijojmë mundësitë buxhetore për ta realizuar një ndihmë të tillë.  

Me plot kuptim kjo është arritje e shënuar për ne dhe përbën hap të rëndësishëm drejt përmirësimit të kushteve për fëmijët pa përkujdesje prindërore, për çfarë ne jemi të angazhuar dhe nuk reshtim së ndaluri për t'u garantuar të gjithëve mirëqenie më të mirë”, tha Aliu.

Ndërsa, po sot kryetari Aliu nënshkroi  marrëveshjen me Drejtorin e Spitalit të Ferizajt, Fikret Arifi për prioritizimin e ofrimit të shërbimeve shëndetësore për fëmijët në familje strehuese të Komunës së Shtimes.

Bëhet e ditur se mjetet për familjet strehuese pritet të ndahen që nga muaji gusht i këtij viti, ndërsa për mënyrën e aplikimit këto familje do të njoftohen me kohë.