Përfundon faza e parë e asfaltimit të rrugës te Kulla e Lirisë
Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes, që inspektoi nga afër këto punime, tha se krahas investimeve të shumta për kujdesin e vlerave të luftës çlirimtare në fshatin Reçak kemi filluar edhe me fazën e parë të asfaltimit të rrugës te Kulla e Lirisë.
“Kjo është faza e parë e asfaltimit që po e bëjmë në këtë segment të rëndësishëm rrugor, ndërkaq nëse lejojnë kushtet atmosferike menjëherë do të procedohet edhe me fazën e dytë të asfaltimit”, tha kryetari i Komunës së Shtimes Qemajl Aliu, duke shtuar se dëshmorët e veteranët tanë janë flamurtarët e lavdisë së popullit tonë dhe heroizmi i tyre i pashoq ka qenë vendimtar për lirinë tonë që e gëzojmë sot e mot.
“Përkujdesja për vlerat e luftës është obligim yni qytetar, moral, kombëtar e institucional dhe ne do ta implementojmë misionin e tyre. Cilësia e mirë, dinamika e përshpejtuar e përkujdesja që e meriton janë e përbashkëta e këtij projekti të domosdoshëm për vlerat e luftës çlirimtare në komunën tonë”, tha kryetari Aliu.
Rregullimi i rrugës te Kulla e Lirisë mbi Memorialin e Masakrës së Reçakut, do të kompletohet me infrastrukturë të plotë: asfaltim, trotuar dhe ndriçim.
Vlera e këtij projekti është 370 mijë euro dhe po realizohet në bashkëpunim me Ministrinë e Infrastrukturës.