Në Shtime përurohet “Dhoma Mike” për viktima të dhunës në familje
Të pranishëm me këtë rast ishin: Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Ferizajt Shukri Jashari, drejtori i Drejtorisë së Policisë Rajonale të Ferizajt, Faton Pllana, drejtori i Departamentit të Rendit Publik në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë në Prishtinë, kolonel Arbnesh Ajvazi etj.
Nga të pranishmit në këtë përurim u tha se jo zyrë do të shërbejë për mbrojtjen e përjetuesve të dhunës në familje.
“Besoj shume që ‘Dhoma mike’, është një hap i duhur dhe u ndihmon viktimave atëherë kur ato raportojnë rastin në polici, sepse jo rrallëherë kemi dëgjuar rrëfime të vajzave dhe grave, teksa në ambientet ku ato kanë dhënë dëshminë e tyre për dhunën që ka ndodhur mbi to, ishin të papërshtatshme”, tha Albulena Haxhiu, ministre e Ministrisë së Drejtësisë.
Kjo dhomë u mundësua falë organizatës donatore “The Church of Christ of Latter - Day Saints”, ku pjesëmarrës ishin edhe drejtuesit, Clay Stringham dhe Catherine Stringham.
“Dhuna mbi bazë gjinore është e papranueshme dhe e patolerueshme, prandaj viktimat e dhunës, traumat që i përjetojnë, se paku të kenë mundësi t’i relativizojnë në një ambient mikëpritës siç është ky në këtë stacion”, tha Qemajl Aliu, kryetar i Komunës së Shtimes.
“Ka raste kur vjen viktima dhe për shkak të gjendjes së rënduar psikike, nuk mund të intervistohet, e një pushim i shkurtër këtu, mjafton që viktima të qetësohet dhe të ambientohet”, tha togeri Haxhi Behluli, komandat i Stacionit Policor në Shtime.
Pas përurimit të “Dhomës Mike”, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime janë shfaqur dy filma: "Një muaj" dhe "Salloni", me tematikë të dhunës në familje dhe rolit në luftimin e saj.
“16 ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” është një fushatë ndërkombëtare e cila zhvillohet çdo vit, duke filluar nga 25 Nëntori (Dita Ndërkombëtare e Eleminimit të Dhunës ndaj Grave), deri më 10 Dhjetor (Dita Ndërkombëtare e të Drejtave të Njeriut).