Përurohet rruga rajonale tranzit Davidovc – Lagje e Pajtimit – Belinc

ShtimePostuar: 10:00 / 29.12.2023

Projekti në fjalë është kontraktuar dhe financuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, në bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe me kërkesë të komunës së Shtimes.

Liburn Aliu, ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, tha se ky projekt do ta shkarkon shumë trafikun në qytetin e Shtimes, e në veçanti krijon lidhje të mira për transportin e rëndë. “Projekti në fjalë është kryer në afat kohor, ashtu siç ishte paraparë. Dua të them se përgjithësisht në ministri, kemi arritur të ndërtojmë mekanizma të mbikëqyrjes, qoftë në fazë të dizajnimit të projekteve, qoftë në fazë të implementimit të tyre. Po angazhojmë kompani të cilat janë përgjegjëse për kontrollin e cilësisë dhe po krijohet një sistem më i qëndrueshëm i zhvillimit të projekteve”, tha Aliu.

Ministri Aliu bëri të ditur edhe për projektin tjetër shumë të rëndësishëm për komunën e Shtimes, atë të lidhjes së dy autostradave: “Ibrahim Rugova” dhe “Arbër Xhaferi”, respektivisht, ndërtimit të autostradës nga Qafa e Duhlës, Carralevë deri në fshatin Banullë, e që ndërlidhet me autostradën për Gjilan.

Nga ana tjetër, kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, tha se këtë rrugë e kanë gjetur në një gjendje të rëndë dhe se është mjaft i lumtur, sepse që në vitin e parë të qeverisjes sime, kemi bërë kërkesën për rregullimin e kësaj rruge rajonale. “Shpresoj që kjo rrugë do t’u shërbejë qytetarëve të komunës së Shtimes, bizneseve por edhe qytetarëve të komunave tjera përreth”, tha kryetari Aliu, duke shtuar se pas një anashkalimi disavjeçar që i ka ndodh komunës së Shtimes, me anashkalimin e autostradës, tani po rikthehet edhe ky projekt.

“Boshti i rrugës natyrale, historikisht ka qenë Shtimja, që ka lidhur tri qendrat shqiptare: Shkupin, Prishtinën dhe Tiranën, dhe më në fund rikthimi i autostradës Duhël, Shtime, Banullë, prap ja rikthen pozitën gjeostrategjike Shtimes”, tha Aliu, duke shtuar se edhe Shtimja tani do të jetë një qytet i zhvilluar dhe do të ketë prosperitet.

Gjatësia e rrugës u bë e ditur se është 4.6 kilometra dhe se kostoja e tij ishte 1.3 milionë euro.