Përurohet shkolla e re “Abdullah Shabani” në fshatin Carralevë të Komunës së Shtimes
Me intonimin e himnit kombëtar dhe atij shtetëror ka filluar programi festiv për përurimin e shkollës së re “Abdullah Shabani” në fshatin Carralevë, të përgatitur nga nxënësit dhe mësimdhënësit e kësaj shkolle.
Në këtë ditë festive dhe përuruese, morën pjesë kryetari i komunës së Shtimes, Qemajl Aliu, së bashku me kryesuesin e Kuvendit, Adnan Ademi, drejtoreshën e Arsimit, Yllka Fejzullahu, veteranë të arsimit, veteranë të UÇK-së, drejtorë të institucioneve shkollore, shumë prindër, nxënës dhe mësimdhënës.
Para shumë pjesëmarrësve, nxënësve dhe mësimdhënësve, kryetari Qemajl Aliu u shpreh duke thënë: “Të hapësh një shkollë, është të hapësh portat e jetës përpara progresit dhe lëvizjes drejt botës së civilizuar dhe kjo sot po ndodhë në fshatin Carralevë që i dha komunës sonë shumë kuadro të profileve të ndryshme”.
Gjatë këtij përurimi një fjalë përshëndetëse mbajti drejtoresha e Arsimit, Yllka Fejzullahu, drejtoresha e shkollës “Abdullah Shabani”, Afërdita Beha dhe kryetari i Shoqatës së Veteranëve të Arsimit, Banush Imeri.
Vlen të përmendet se kjo shkollë me hapësirë të brendshme prej 3200 metra katrorë, tanimë do të punojë vetëm në një ndërrim.