Shënohet 24-vjetori – Dita e Çlirimit të Komunës së Shtimes
Kryesuesi i Kuvendit të Komunë së Shtimes, Adnan Ademi, në hapje të kësaj mbledhje ka përshëndetur të gjithë të pranishmit duke i uruar për 24-Vjetorin - Ditën e Çlirimit të Komunës së Shtimes.
Ndërsa në vazhdim fjalën e mori kryetari i Komunës, Qemajl Aliu, i cili tha se sot po shënojmë 12 Qershorin - Ditën e Çlirimit të komunës sonë, ditën e frymimit lirshëm pas rrugëtimit tonë të gjatë shekullor, pas shumë vuajtjeve e sakrificave të brezave të tërë.
Për të nderuar dhe kthyer kujtesën në këtë ditë që shënoi fillimin e një epoke të re për liri, kryetari i Shtimes, Qemajl Aliu së bashku me bashkëpunëtorë, përfaqësues e anëtarë të shoqatave të dala nga lufta, familjarë të Dëshmorëve të Kombit, këshilltarë komunalë dhe qytetarë të shumtë janë përkulur para shtatores së Komandantit Legjendar Adem Jashari duke vendosur buqeta me lule. Në nderim të gjakut të derdhur për liri ka vazhduar ceremonia e homazheve dhe vendosjes së kurorave me lule, te Sheshi i Dëshmorëve në Shtime, në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së në Shtime, Mollopolc, Reçak, Rancë dhe Carralevë.
Për nder të kësaj feste, në Shtëpinë e Kulturës në Shtime, në ora 14:00 do të bëhet ndarja e mirënjohjeve për nxënësit e shkollave të mesme të ulëta, të cilët kanë treguar sukses në Garat Komunale të Diturisë, 2023, kurse në ora 16:00, do të hapet ekspozita e nxënësve të SHMU “Emin Duraku” të Shtimes.
Kjo festë pritet të përmbyllet me një program të pasur kulturo-artistik që do të shfaqet sonte në ora 19:00, në Shtëpinë e Kulturës nga Ansambli i Këngëve dhe Vallkeve “Ilirida” nga Shtimja, ndërkaq në ora 20:00 do të mbahet koncerti festiv me këngëtarin e estradës kosovare, Hysni Klinaku dhe Diellza Zenuni.